×

Një gjigant i besimit u largua prej nesh. Është me vend dhe e duhur që të reflektojmë për disa nga gjërat që kemi mësuar prej tij. Largimi i tij kërkon që të shkruhen imtësisht nekrologji të kujdesshme, por kjo që po shkruaj nuk është një prej tyre. Synimi im modest është të ndaj disa kujtime që na tregojnë se, ashtu si Abeli, “ai po flet ende, ndonëse vdiq” (Hebrenjve 11:4).

Para se të takoheshim ballë për ballë, unë dhe Tim bashkëpunuam në projektin e shkrimit të një libri. Libri titullohej Adhurim sipas Librit, në të cilin një grup pastorësh nga sfonde të ndryshme denominacionale, por thellësisht të përkushtuar ndaj shërbesës ekspozuese, shkruan kapituj të gjatë duke skicuar se si mendonin ata se duhej të dukej adhurimi i përbashkët, përfshirë këtu edhe modele takimesh. Tim-i ishte presbteriani ynë. Kur libri i botua (më 2002), unë dhe Tim-i u takuam më në fund – fillimisht në Londër, ku të dy ishim folës në të njëjtën konferencë, dhe pastaj në Nju Jork. Herën e dytë, unë gjendesha në Universitetin Princeton për një arsye që nuk më kujtohet, dhe Tim më sugjeroi që të merrja trenin dhe të shkoja në qytet, ku shijuam bashkë një drekë në një restorant tipik në trotuaret e Nju Jorkut.

Rallë takon dikë me të cilin formon një lidhje të menjëherëshme. Tim-i ishte ky lloj miku. Bisedat tona nuk ngecnin kurrë, a thua se e kishim të vështirë të gjenim diçka për të cilën të flisnim. Teologjia, gjendja e kishës, pikat e forta dhe dështimet e ungjillorizmit konfesional, nevoja urgjente për më shumë predikim ekspozues, analizat e rrymave kulturore të kohës në Amerikë dhe në vende të tjera, kuptimi i pasazheve të caktuara biblike, disiplinat frymërore – të gjitha këto dhe mjaft tema të tjera mbizotëronin në bisedat tona, shto këtu dhe kohën me familjet tona.

Nuk mendoj se folëm ndonjëherë për Uimbeldonin, golfin, futbollin amerikan, për kupën Stanley, apo për sporte të tjera. Duke qenë se Tim dhe Kathy jetuan në një apartament gjithë vitet e tyre në Nju Jork, bisedat e tij rrallëherë kalonin te kopshtet, këngët e zogjve dhe lulet (ndryshe nga C. H. Spurgeon!). Ai nuk pati ndonjëherë një listë “punësh” që lidheshin me kopshtin e shtëpisë. Shumë shpesh folëm për ungjillëzimin. Dhjetë apo dymbëdhjetë vjet më parë po flisnim në telefon dhe po krahasonim shënimet tona: ai sapo ishte kthyer nga një mision në Universitetin e Oksfordit, ndërsa unë nga Melburni i Australisë. Kjo sferë që flet se si të bëhemi më të frytshëm në ungjillëzim, ishte një nga shumë zonat ku ai kishte më shumë dhunti se unë.

Teologjia, gjendja e kishës, pikat e forta dhe dështimet e ungjillorizmit konfesional, nevoja urgjente për më shumë predikim ekspozues, analizat e rrymave kulturore të kohës në Amerikë dhe në vende të tjera, kuptimi i pasazheve të caktuara biblike, disiplinat frymërore – të gjitha këto dhe mjaft tema të tjera mbizotëronin në bisedat tona, shto këtu dhe kohën me familjet tona.

Kjo na sjell te gjysmëshekulli jashtëzakonisht i frytshëm i tij në qytetin e Nju Jorkut. Shumë predikues kanë ngritur kisha gjigante; por të pakët kanë qenë ata që e kanë bërë këtë me një rritje konvertimi në mjedis urban dhe tepër laik të zhytur në padituri biblike. Karakteristika e predikimeve të Tim Keller ishte që ato ishin ekspozuese në formë dhe në projektim: përparësia e tij e parë ishte që të shpjegonte tekstin e Shkrimit. Zakonisht pjesët e tij tekstuale ishin një paragraf, një perikope, ose një kapitull, jo një gjysmë vargu apo një shprehje e mjegullt. Ai kishte një aftësi të pazakontë për t’i treguar të vërtetat e lashta në një mënyrë të re. Një pjesë e kësaj u arrit përmes kohës dhe energjisë që ai i kushtonte zbatimit të tekstit. Këtu ai trajtonte jo vetëm nevojat dhe mëkatet individuale, por edhe rrymat e mëdha morale dhe kulturore. Ashtu si një profet i Dhiatës së Vjetër, ai nuk hezitoi t’i fliste kulturës dhe kombit dhe të bënte thirrje për drejtësi, si edhe për pendim. Ai ishte xheloz për lavdinë e Perëndisë. Tim-i ishte i shpejtë për të parë se si trajektoret e Shkrimit, struktura e teologjisë biblike i shtynin vazhdimisht lexuesit seriozë sërish tek ungjilli. Predikimi i tij i mësoi njerëzit se si ta lexonin Biblën e tyre. Edhe pse bashkësia e tij në Nju Jork kishte një shumicë njerëzish shumë të arsimuar, predikimet e tij ishin të kuptueshme për një larmi të madhe njerëzish. Pa dyshim që ky ishte produkti i predikimit për dymbëdhjetë vjet në një bashkësi disi më pak të sofistikuar.

Ashtu si një profet i Dhiatës së Vjetër, ai nuk hezitoi t’i fliste kulturës dhe kombit dhe të bënte thirrje për drejtësi, si edhe për pendim. Ai ishte xheloz për lavdinë e Perëndisë.

Zakonet e tij të leximit ishin shumë të jashtëzakonshme. Ai gjente kohë për të lexuar libra mbi analizën e shoqërisë dhe çështjet e kohës, por ai gjithashtu e përpinte teologjinë historike, komentarët, dhe zhanre të tjera letërsie. Për njëfarë kohe ai i lexoi sërish Institutet e Kalvinit si pjesë të disiplinës së tij të përditshme. Kushdo që e dëgjoi duke predikuar, e dalloi se sa shumë e kishte përvetësuar ai C. S. Lewis-in, jo sepse donte që të imitonte teologjinë e tij, por ngaqë donte të mësonte nga imazhet e tij, nga mënyra se si Lewis e përdorte gjuhën, si dhe nga apologjetika e tij tërheqëse. E gjithë kjo ishte vendosur brenda kornizës së përkushtimit të tij ndaj Rrëfimit të Uestminsterit.

Disa nga ndjekësit e tij nuk e dalluan dot këtë gjë: ata tërhiqeshin nga analiza e tij kulturore dhe nuk e dalluan gjithmonë se sa shumë ishte ndikuar predikimi i tij nga rrëfimet historike. E gjithë kjo ishte marinuar me një përshpirtshmëri të përulur: predikimet e tij nuk ishin kurrë aq intelektuale sa argumentet të lejoheshin të zëvendësonin rrëfimin, lutjen dhe një ndjesi të thellë të pranisë së Perëndisë. Ky tipar i jetës dhe shërbesës së Tim-it nuk u bë askund më i mprehtë dhe më i qartë sesa gjatë viteve të fundit të jetës së tij kur po luftonte me kancerin.

Predikimet e tij nuk ishin kurrë aq intelektuale sa argumentet të lejoheshin të zëvendësonin rrëfimin, lutjen dhe një ndjesi të thellë të pranisë së Perëndisë.

Shumica e njerëzve që kaluan kohë me Tim-in e ndienin veten se ishin miqtë e tij më të mirë. Sikurse apostulli Gjon që e mendonte veten si ai të cilin Jezusi e donte, nuk ishin të pakët besimtarët në kishën e Tim-it, të cilët e ndienin se pastori i tyre kryesor kishte një dashuri të veçantë për ta. Kjo është shenja e zakonshme e një kishe së cilës i tregohet një kujdes i mirë. Kjo ishte edhe masa e një pastori që nuk e humbet kurrë gjakftohtësinë: kurrë nuk e pashë Tim-in që të ishte gati duke “shpërthyer”, e aq më pak që të binte pre e një vlerësimi përçmues apo keqdashës ndaj të tjerëve. Në një këndvështrim më të gjerë, një pjesë e madhe e tërheqjes së Tim-it në predikimin e tij apologjetik shpjegohet nga aftësia e tij për ta përmbledhur argumentin e kundërshtarit me më tepër qartësi dhe paanësi sesa vetë kundërshtari. Tundimi për të fituar pikë mes admiruesve tanë ndonjëherë e shkatërron aftësinë tonë për ta fituar kundërshtarin. Kjo është një grackë, në të cilën nuk e pashë Tim-in të binte qoftë edhe një herë të vetme. Do të doja që të njëjtën gjë të mund ta thosha edhe për veten.

E njëjta disiplinë dhe nderim i krishterë u shfaq në mënyrë të pashmangshme edhe në mes të polemikave. Këshilli fillestar i asaj që më vonë u bë The Gospel Coalition (Koalicioni i Ungjillit), u takua për herë të parë në vitin 2005. Tim-it i kërkuam të shkruante një dokument që e titulluam Vizioni ynë Teologjik për Shërbesën (VTSh). Ai këshill fillestar përbëhej nga 40 pastorë, shumica e të cilëve ishin njerëz me bindje dhe opinione shumë të forta për ndryshimet që duheshin bërë në VTSh-në tonë. Kur puna e dikujt sfidohet, është shumë e lehtë që personi të tërhiqet në një mbrojtje që irritohet lehtë, ama unë nuk dallova asgjë të kësaj natyre te Tim-i. Një nga vëllezërit solli nja 50 sugjerime për përmirësim. Tim-i dhe ky vëlla i panë një për një sugjerimet. Në të shumtën e rasteve Tim-i pranoi se sugjerimi ishte një përmirësim dhe e falënderoi kritikun e tij për këtë gjë. Ai qëndrim i dha edhe besueshmërinë për të rezistuar, me butësi por edhe prerë, kur ndiente se sugjerimi i vëllait e dobësonte dokumentin – dhe në këto raste ai e fitoi kritikun. Ky ushtrim nuk ishte i rëndësishëm vetëm për ta përmirësuar VTSh-në (dhe dokumentet e tjera), por u bë edhe tipari ynë dallues për mënyrën se si vepronim: ne mund të mos binim dakord dhe nuk ramë dakord për shumë gjëra, e megjithatë mësuam nga njëri-tjetri. Anëtarët e këshillit u bënë miq të besuar; ne kaluam shumë kohë duke dëgjuar dhe duke u lutur për njëri-tjetrin. Disa herë Tim-i tha se takimi i këshillit të TGC-së ishte takimi i tij i preferuar i vitit. Pjesë e madhe e arsyes ishte cilësia e marrëdhënieve që ishin kultivuar nga ndërveprimet e Tim-it në këto takime. 

Një ndjenjë e mirë humori ndihmon. Gjatë takimit tonë të dytë si këshill (më 2006), Tim-i, i cili ishte ulur pranë meje, shpërtheu në një të qeshur pa zë dhe e ktheu ekranin e laptopit nga unë që ta shihja. Me sa duket gjatë diskutimit të një pike të caktuar teologjike, Tim-i kishte thënë diçka që e kishte habitur një anëtar tjetër të këshillit. Ky anëtar i kishte dërguar një email njërit prej asistentëve të tij duke i përmbledhur atë që kishte thënë Tim-i. Asistenti e postoi online: “Tim Keller ka thënë kështu e ashtu..” Njëri nga asistentët e Tim-it e kishte parë online dhe i kishte dërguar një email shefit të tij, i cili ishte ende i ulur përkrah meje: “E the me të vërtetë këtë?” U deshën vetëm 15 minuta që thelbi i asaj që Tim-i sapo kishte thënë, të vinte sërish tek ai. Një burrë tjetër do të ishte ofenduar nga ajo që duket se ishte një shkelje e mirëbesimit, por Tim mendoi se kjo ishte për të qeshur.

Sigurisht që e bëmë më të qartë përkushtimin tonë ndaj privatësisë: ajo që thuhet në takimet e Këshillit tonë duhet të mbetet në takimet e Këshillit. (Nuk di të ketë pasur ndonjë rast tjetër në vitet në vazhdim që ky rregull i thjeshtë të jetë shkelur sërish.) Por e qeshura e Tim-it në mes të këshillit na ndihmoi që ta trajtonim këtë gjë. Tim-i nuk ishte tipi që tregonte shaka sa për humor, e megjithatë ai kishte një ndjenjë shumë të hollë humori.

Do të ishte e gabuar nga ana ime që ta mbyllja këtë shkrim përkujtimor pa thënë diçka për Kathy-n, ose më saktë, për vlerësimin që Tim-i kishte për Kathy-n. Në të gjitha ato raste që kam dëgjuar predikimin e tij, rrallëherë Tim-i e mbylli atë pa iu referuar gruas së tij. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për bisedat e mia private me të: ishte e pazakontë që të mos e dëgjoja atë të tregonte se çfarë mendonte Kathy ose të tregonte diçka nga përjetimi i saj i hirit dhe i shërbesës. Nuk dëgjova kurrë një koment shpërfillës për të, as edhe për shaka. Me pak fjalë, Tim-i e donte dhe e vlerësonte bashkëshorten e tij, dhe të gjithë e dinin këtë gjë. Ata u lidhën ngushtë me njëri-tjetrin gjatë dekadave dhe kjo ishte akoma më e vërtetë kur Tim-i nisi të prekej nga sëmundja e tij e fundit. Sigurisht që unë nuk jam i vetmi të cilit Tim-i i tregoi se gjatë asaj sëmundjeje ai dhe Kathy qanë bashkë më shumë se kurrë më parë, dhe gjithashtu e deshën njëri-tjetrin si kurrë më parë.

E humbëm një gjigant.

Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/carson-tribute-tim-keller/

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim i redaktorit: 

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2023

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet