×

A mendon se një udhëheqës i krishterë, i cili ka rënë në mëkat mund të ripërtërihet dikur? Nëse jo, pse jo? Nëse po, me çfarë kushtesh?


Kjo pyetje është bërë edhe më urgjente, për shkak të një numri jo të vogël udhëheqësish të krishterë, të cilët kanë rënë në mëkate që janë pranuar publikisht, shpesh (por sigurisht që jo gjithmonë) të një natyre seksuale. Për këtë temë janë shkruar libra të tërë. Sigurisht që unë nuk do t’i zgjidh të gjitha vështirësitë me një artikull si ky.

Ndoshta mund të radhit se cilat janë disa nga çështjet kryesore në katër pikat e mëposhtme.

1. Përkufizimi i pyetjes

Pyetja që shtrohet shpesh është e paqartë, apo madje edhe me tendencë. “A mendon se një udhëheqës i krishterë, i cili ka rënë në mëkat, mund të ripërtërihet ndonjëherë?” Reagimi i parë duhet të jetë: “Ku të ripërtërihet?” Supozo se mëkati është seksual). A do të thotë ripërtëritja, “ripërtëritje në këtë familje”? Kjo varet nga bashkëshortja, dhe reagimi i saj varet nga shumë faktorë. Kuptimi më i zakonshëm i “ripërtëritjes” në pyetjen e personit, në të vërtetë do të thotë “të ripërtërihet në Zotin”. Përgjigjja e qartë është një “Po!” e gëzueshme—sepse, pavarësisht se sa e trishtueshme është sjellja seksuale, ajo në vetvete nuk është mëkat i pafalshëm.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se udhëheqësi i krishterë, i cili është ripërtërirë në Zotin, dhe ndoshta është pranuar sërish në anëtarësinë e kishës dhe në tryezën e Zotit, duhet që gjithashtu të rivendoset në udhëheqjen e krishterë (nëse supozojmë se ai ose ajo është shkishëruar). Jo çdo i krishterë që qëndron në raport të duhur me kishën, është i kualifikuar për çdo ofiq në të.

Prandaj, nëse dikush është hequr nga detyra për një arsye të justifikuar prej Biblës, çështja e rikthimit në atë ofiq tani varet nëse në këtë moment personi i përmbush kërkesat biblike për atë ofiq.

2. Përmbushja e kërkesave biblike

Fakti nëse personi i përmbush kërkesat biblike për atë ofiq, varet nga dy çështje të lidhura me ato kushte. Për t’i dhënë një formë konkrete diskutimit, le të supozojmë se kemi të bëjmë me një ish pastor, i cili është disiplinuar për kurorëshkelje, por që është penduar, i është nënshtruar kujdesit të pleqve (pastorëve) të kishës dhe është ripërtërirë në anëtarësinë e kishës (nëse pranojmë që ai ishte përjashtuar).

Tani pyetja shtrohet nëse ai mund të rivendoset apo jo në postin baritor. Dy çështjet e ndërlidhura që duhen hulumtuar, janë këto:

(a) A është personi i rrezikuar që ta bëjë sërish këtë mëkat? Kjo kërkon gjykim baritor për sa i përket masës së pendimit, shkallës të ripërtëritjes së tij frymërore, natyrës së vendosmërisë dhe përgjegjësisë që do të shfaqë në të ardhmen. Le të tregohemi të sinqertë: numri i njerëzve (përfshirë edhe pastorët) që bien në këtë zonë dhe pastaj rrëzohen përsëri, është jashtëzakonisht i lartë.

Veç detyrimit moral të pleqve për ta mbrojtur tufën nga pastori grabitqar (duke qenë se jetojmë në një shoqëri të dhënë pas gjyqeve, ky detyrim ka shumë dimensione), ekziston edhe detyrimi për të arritur në një konsensus për faktin nëse shkelësi është ripërtërirë në atë lloj vendosmërie morale, e cila e bën rënien sërish në këtë mëkat të ketë pak gjasa. Në terma biblikë, udhëheqësit duhet të vendosin nëse ish-pastori, tani ka vërtet “vetëkontroll” (1 e Timoteut 3:2), dhe dikush që e di mirë se si ta qeverisë familjen e tij (1 e Timoteut 3:4). Këto janë disa nga sferat në të cilat mëkati i kurorëshkeljes e ka treguar si të pakualifikuar për të qenë mbikëqyrës dhe pastor.

(b) Deri në çfarë mase e ka shkatërruar besnikërinë e tij dështimi i tij moral, si mes besimtarëve ashtu edhe mes atyre jashtë kishës?

3. Matja e besueshmërisë së tij

Pyetja e dytë kërkon reflektim të mëtejshëm. Kur mbështetësit e pastorit që ka rënë në mëkat i akuzojnë pleqtë e kishës ose kishën se nuk po tregohen të dashur dhe falës nëse nuk e ripërtërijnë atë në udhëheqje, dhe u kujtojnë me forcë të gjithëve që kurorëshkelja nuk është mëkati i pafalshëm, është thellësisht e rëndësishme të vëmë në pah që argumente të tilla nuk janë asgjë më tepër se thjesht shpërqendrime. Çështja reale është besueshmëria publike. Pali këmbëngul që “Duhet, pra, që peshkopi të jetë i paqortueshëm” (1 e Timoteut 3:2) dhe “duhet që ai të ketë dëshmi të mirë edhe ndër të jashtmit” (1 e Timoteut 3:7).

Kategoria “i paqortueshëm” nuk kërkon një përsosmëri të pamëkatë. Përkundrazi, ajo që kërkohet është që kandidati të mos ketë ndonjë mangësi morale për të cilën shumë njerëz ta “qortojnë”. Për më tepër, fakti që ky pastor duhet të ketë “dëshmi të mirë edhe ndër të jashtmit” sigurisht që ia vlen të mendohet mirë. Ndonjëherë, një kishë është aq e lidhur nga ana sentimentale me pastorin e saj saqë edhe kur ai rrëzohet në mëkat të rëndë, shumë anëtarë të kishës, ndoshta edhe shumica, do jenë të lumtur ta lënë të vazhdojë në ofiqin pastoral, nëse ai tregon shenja të mjaftueshme pendimi.

Çfarë mund të themi për ata jashtë kishës? A e shohin ata kurorëshkeljen e tij, të tundin kokën dhe nënqeshin? A po përçmohet emri i Krishtit, jo vetëm prej faktit që pastori ka kryer kurorëshkelje, por edhe sepse kisha ka treguar se nuk e ka problem të udhëhiqet nga një burrë që nuk rri dot pak mëkatuar? A e ka humbur ky pastor aq shumë besueshmërinë e tij, saqë kur predikon për diçka, e cila ka të bëjë me moralin dhe integritetin, besimtarëve, jobesimtarëve do t’u shpëtojnë një tufë psherëtimash të sikletshme, ose të dyja grupeve bashkë?

4. Bëj pyetje të vështira

Prandaj, pleqtë duhet të bëjnë pyetje të vështira, jo vetëm se në çfarë gjendjeje është vetë pastori që ka rënë në mëkat, por gjithashtu se si është ndikuar besueshmëria e tij, me pjesëtarët e kishës dhe me ata jashtë saj. Nëse pleqtë janë të kënaqur me përmirësimin e pastorit në sferën e kishës, ata gjithsesi duhet të bëjnë pyetje të vështira në lidhje me sferë e botës. Në këtë pikë, mundësia që pastori i rënë në mëkat të ripërtërihet në udhëheqje aktive pastorale, nuk është asgjë më tepër se sa pyetja si (se sa nëse) mund ta rifitojë besueshmërinë publike.

Në këtë pikë, shtegu im shkëputet nga ai i atyre që mbajnë një qëndrim më të ashpër, të cilët këmbëngulin që ripërtëritja në ofiqin publik duhet të përjashtohet si mundësi, saktësisht për shkak se kjo lloj besueshmërie publike ka humbur përgjithmonë. Personalisht, nuk jam aq i sigurt. Megjithatë, jam shumë i sigurt që tërheqja personale prej tre muajsh e Jimmy Swaggart, e pasur nga vetëdeklarimi i tij si i kualifikuar për t’iu kthyer ofiqit pastoral, është për të ardhur keq. Gjithsesi, në teori e kam të vështirë të shoh pse një burrë s’mund ta rifitojë besueshmërinë e tij për t’ia nisur nga fillimi, aty ku kanë rënë dhe duke e treguar veten besnikë në gjërat e vogla.

Ndoshta ai fillon duke pastruar ndërtesën, duke parkuar makinat e pleqve që vijnë në kishë, duke marrë pjesë në takimet e lutjes. Ndoshta pasi ka marrë pjesë për disa vite në një grup shtëpie ka treguar aq përulësi dhe cilësi, saqë me raste i kërkohet t’i flasë grupit. Ndoshta me kalimin e kohës, ai bëhet një dhjak besnik dhe disa vite më vonë, integriteti i jetës së tij familjare i kombinuar me thellësinë e njohurisë së tij biblike, bindin gjithnjë e më shumë njerëz që atij mund t’i besohet më tepër. Ndoshta fillon të predikojë herë pas here. Kështu, për një periudhe të gjatë kohe, mund të rifitojë shumë siguri publike dhe të ripërtërihet në një farë mase në udhëheqjen frymërore.

Por ky lloj shtegu drejt ripërtëritjes në ofiqin pastoral nënkupton dy gjëra. Së pari, nuk ka gjasa që ky burrë ta rifitojë autoritetin që kishte para se të binte në mëkat. Shumë njerëz do ta marrin vesh atë që ka ndodhur dhe nuk do të jenë kurrë në gjendje që ta harrojnë plotësisht. Edhe nëse ata bien dakord që ky burrë ka rifituar një besueshmëri të konsiderueshme, kur ai të trajtojë tema të caktuara, ata nuk ka se si të mos e kujtojnë dështimin e tij të rëndë. Dhe së dyti, ky model ripërtëritjeje supozon që, sa më i mirënjohur të jetë qenë pastori para rënies në mëkat, aq më pak gjasa ka ripërtëritja e tij në besimin publik pasi ai ka rënë në mëkat. Vetë pozita e tij e shquar do të thotë që më shumë njerëz do të shkatërrohen nga rrëzimi i tij, edhe më shumë njerëz jashtë kishës do të bëjnë komente përçmuese, dhe është e sigurt që ripërtëritja do të kërkojë më tepër kohë, do të jetë më e vështirë, dhe ndoshta e pamundur.


Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/fallen-christian-leader-restored/

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet