×

Pastorët kanë nevojë për njerëz të zakonshëm. Njerëzit e zakonshëm kanë nevojë për pastorë

Xhaxhai im vdiq katër vjet më parë në shtëpinë ku u rrit, të cilën e ndërtoi gjyshi i tij. Për më tepër se njëqind vjet, ferma e familjes ka pasur një pronar me mbiemrin Carlson. Me përjashtim të një periudhe të vogël si ushtar në marinë, xhaxhai im jetonte në fermë ose një milje larg saj, në një fermë tjetër dhe të dyja ishin në periferi të një qyteze të vogël me 900 banorë. Fëmijët e tij u diplomuan në të njëjtin gjimnaz sikurse dhe ai.

Ai kurrë nuk pati një kompjuter dhe asnjëherë nuk shkroi një email. Afër fundit të jetës mori një telefon me kapak. Nuk mendoj se kemi folur më shumë se disa minuta në telefon, por kaluam shumë kohë bashkë.

A do të doje të ishe pastori i tij?

Xhaxhai im ishte një burrë i perëndishëm, por jo në mënyrën se si e mendojnë disa. Ai nuk ishte ungjilltar, udhëheqës i studimit të Biblës dhe as një lexues i madh. Lutjet e tij ishin të shkurtra dhe me kuptim. Xhaxhai im përdori të njëjtën Bibël gjatë gjithë jetës së tij dhe dëgjonte rregullisht predikime të David Jeremiah dhe Charles Stanley. Ai nuk u përfshi në udhëheqjen e kishës. Thjesht kjo nuk ishte thirrja e tij.

Ndonjëherë, këta lloj të krishterësh shihen çuditshëm besimtarët e rinj. Ku ishte përkushtimi i tij radikal ndaj Krishtit? Ku ishte pasioni i tij për kombet? Përse nuk lexonte asnjë libër të mirë? Çfarë problemi kishte xhaxhai im?

Mbase Pali u jepte Thesalonikasve një rrugëdalje të lehtë kur shkroi si më poshtë?

Por ne ju bëjmë thirrje, vëllezër, që… të jetoni në paqe, të merreni me gjërat tuaja dhe të punoni me duart tuaja, ashtu si ju kemi urdhëruar, që të silleni me nder ndaj atyre që janë jashtë dhe të mos keni nevojë për askënd. (1 e Thes. 4:10-12)

Sigurisht që ky pasazh u shkrua në një kohë të caktuar, për njerëz të caktuar dhe në një situatë të caktuar. Megjithatë, a nuk po përballeshin ata me shumë nga të njëjtat çështje dhe rrethana si dhe ne sot?

Portreti i njeriut të perëndishëm

Pyetje si ato të renditura më sipër na çojnë në një territor të rrezikshëm, kur fillojmë të krijojmë standarde për perëndishmërinë. Ndonjëherë, retorika jonë e lartë i mbledh trupat dhe i shkund njerëzit nga një gjendje e keqe. Mund të jetë e nevojshme. Megjithatë, shpesh, nuk zbret në realitet.

I gjithë qyteti e njihte xhaxhain tim. Hëngra mëngjes në atë qytet (ku nuk kam jetuar kurrë) dhe dikush më ndaloi dhe më pyeti nëse isha nipi i tij. Kur xhaxhai ishte në fermë, ai u mësoi shumë fëmijëve si të punonin, gjuanin, peshkonin, qeshnin dhe luanin. Gjatë kohës kur ai shpërndante postën ishte legjendë për çdo fëmijë në atë zonë, duke sjellë shpesh karamele dhe çamçakëz. Ai ndalej pothuajse çdo ditë te dyqani i berberit për të bërë një lojë shah me miqtë e tij të ngushtë. Kur isha fëmijë, e prisja atje që ai të mbaronte turnin e më pas të luanim golf. Xhaxhai im ishte drejtuesi i lojërave tek AWANA për shumë vite. Ai mund të mbante të mbërthyer vëmendjen e 100 fëmijëve dhe gjithmonë kishte një lojë për të luajtur. Ai mund të ta shtrëngonte dorën shumë fort kur e takoje, por gjithashtu mund të shëtiste fëmijët e vegjël përreth me një kujdes të butë.

Çdo verë, xhaxhai rriste njëqind rosakë për qejf. Kur nipërit dhe mbesat vinin, merrej shumë me ta. Një herë, ai mori dy nipërit e tij, 4 dhe 2 vjeç, në një miniavion agrokulturor pa i thënë mamasë së tyre. Disa vjet më parë, xhaxhai im ndoqi një tornado të fuqishme me njërin nga nipat, ndërsa tornadoja u afrua rreth një milje larg shtëpisë së tij. Kur një nga fëmijët i vuri aksidentalisht zjarrin kasolles së tij, ai u lut me të dhe nuk e kujtoi më atë rast kurrë. Xhaxhai im merrte pjesë në të gjitha festat e tyre dhe iu telefononte për të marrë vesh si ishin. Në 10 vitet e fundit të jetës së tij, ai ia kushtoi kohën në mënyrë vullnetare të gjithë atyre që ishin sëmurë, duke i dërguar me makinë në vizitat mjekësore.

Pastorët kanë nevojë për xhaxhallarë si Don–dhe e anasjelltas

Xhaxhai im ishte personi që gjithmonë shërbente kur shumë pastorë futeshin në zyrat e tyre për të lexuar. Kur në parkingut e kishës shfaqeshin gropat, ato zhdukej shpejt pasi ai i rregullonte pa treguar ndokujt. Ishte ai që blinte akullore për të gjithë dhe paguante fshehurazi për të gjitha vaktet e të vejave gjatë vitit. A mund të jetë ky njeri një hero i besimit? A do të ishte ai një tip mjaft strategjik aq sa ju ta konsideronit? Ka shumë burra dhe gra si xhaxhai im, të gjithë kanë nevojë për pastorë.

A do të ishte ai një tip mjaft strategjik aq sa ju ta konsideronit? Ka shumë burra dhe gra si xhaxhai im, të gjithë kanë nevojë për pastorë.

Xhaxhai Don ishte një hero dhe një njeri që ia vlen ta imitosh, por jo sepse ai kapërceu kulturat, la gjithçka pas, e ndau ungjillin me të gjithë, ose u zhyt në libra të thellë teologjikë. Ai ishte një hero për shkak të asaj që bëri Krishti në jetën e tij dhe se si Krishti e përdori atë për t’u shërbyer të tjerëve pa rënë në sy.

Ai e donte gruan e tij prej 57 vjetësh, rriti fëmijët dhe nipat duke qenë pranishëm me besnikëri, punoi shumë duke kultivuar tokën e tij dhe duke shpërndarë postën, luajti lojëra, i çoi njerëzit në takime me makinë, e kështu me radhë. Ai nuk u tregua gjykues ndaj askujt, ishte i dashur nga të gjithë, dhe i respektuar nga të jashtmit. Kjo nuk është një biografi shenjtori. Ky është portreti i njeriut të perëndishëm. Kjo është radikale. A do të doje të ishe pastori i tij?


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/pastors-ordinary-folks/

Përktheu: Alehandro Dura | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet