×

Vazhdo të lulëzosh në mënyrën se si Perëndia të ka bekuar, me dhunti (ose jo)

Unë punoj në misione dhe në arsimin global teologjik. Një nga bisedat më të vështira që hasim është ajo me burra të cilët kanë kaluar 20 ose 30 vjet në shërbesë dhe duan të japin mësim me ne, por nuk shfaqin dhuntinë e mësimdhënies. Shpesh, ne ua bëjmë të ditur këtë në mënyra të tjera, por për arsye të ndryshme, askush në kishë nuk u ka folur kurrë më parë rreth kësaj të vërtete. Sigurisht që ata janë lënduar (kush nuk do të ishte?), por pse askush nuk ua ka thënë këtë gjë më parë dhe pse ata dëshirojnë të bëjnë diçka të cilën nuk e kanë dhunti?

 

Ka dy përgjigje për këtë. E para, shumë prej nesh jetojmë me parimin se mirësjellja është e barabartë me perëndishmërinë. Në Shtetet e Bashkuara ky fenomen duket më i përhapur në jug dhe në mes-perëndim të vendit. Nëse dikush ka zell dhe ndihet se ka marrë thirrje për të shërbyer, kush jam unë që ta ndaloj? Si pasojë, komuniteti i besimit e dorëzon rolin e vet të thirrjes dhe të konfirmimit. Kështu, në godinën tonë mbërrijnë shumë seminaristë pa dhunti baritore që më pas të mund të formohen.

Nuk ka shumë libra në të cilët flitet për heronj të krishterë, të cilët nuk mund të predikonin.

Arsyeja tjetër se përse shumë prej nesh, të cilët dëshirojmë të bëhemi mësues, nuk arrijmë t’i vlerësojmë siç duhet dhuntitë që kemi është sepse i kushtojmë një vlerë më të madhe dhuntisë së mësimdhënies. Nuk ka shumë libra në të cilët flitet për heronj të krishterë, të cilët nuk mund të predikonin.

Gjej dhuntinë tënde të vërtetë

Ndërkohë, ne e humbasim mundësinë për t’i shërbyer trupit të Krishtit me dhuntitë që kemi në të vërtetë. Ne nuk e shohim mënyrën se si Perëndia na përdor, pasi jemi shumë të zënë duke u përpjekur të bëhemi si dikush tjetër. Duhet t’u vëmë veshin fjalëve të Mbretit David:

Po, ti ke formuar të përbrendshmet e mia,
ti më ke endur në barkun e nënës sime.
Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar;
veprat e tua janë të mrekullueshme,
dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

Psalmi 139 nuk vlen vetëm për ditën e nënës. Një nga bekimet të mëdha të jetës sime është njohja e të krishterëve nëpër botë dhe përjetimi i krijimtarisë së Perëndisë në mënyrën se si Ai i modelon njerëzit. Personalitetet tona janë të veçanta. Ne pëlqejmë gjëra të ndryshme. Mënyrat tona të komunikimit dhe mënyra se si jemi mësuar t’i zgjidhim konfliktet janë të formuara në ne dhe ushqehen nga përvoja jonë. Kjo veçanti është pjesë e qenët i krijuar në mënyrë të mrekullueshme—i të qenët bartës i shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe pasqyrim i punës krijuese të Tij.

Gjithsesi, kjo s’do të thotë që dhuntitë nuk duhet të përmirësohen dhe të zhvillohen. Nuk do të thotë se personalitetet nuk kanë mangësi. Pra, nuk është një mundësi për të qenë dembel. Nuk mund të themi: “Unë nuk do të ungjillëzoj, sepse kjo nuk është dhuntia ime.” Je thirrur për të bërë dishepuj, prandaj bëje këtë në atë mënyrë unike që të ka krijuar Perëndia. Mund të kesh siguri për shkak të asaj kush je në Krishtin—një bir i shpenguar, i pajisur me dhunti për t’i shërbyer trupit të Tij.

Përdori këto dhunti me përulësi (Romakëve 12:7, 8). Nuk duhet thjesht të mendojmë se cilat janë dhuntitë tona, por edhe se si t’i përdorim ato. Të përpiqemi të bëhemi ata që nuk jemi është krenari; është si t’i themi Perëndisë dhe të tjerëve se kemi dhunti të ndryshme nga mënyra se si jemi modeluar. Të qenët i sigurt se kush jemi në Krishtin ka rëndësi të madhe. Të qenët i sigurt në dhuntinë që Perëndia na ka dhuruar ose jo, është gjithashtu e rëndësishme. Ai na ka endur në barkun e nënës në mënyra të ndryshme. Nuk kemi pse të përpiqemi të marrim role të cilat nuk na përshtaten. Dora nuk duhet të jetë xheloze se nuk është një këmbë dhe as nuk duhet të përpiqet të jetë një e tillë (1 e Korintasve 12:12). Perëndia na ka dhënë trupin e Krishtit me secilin gjymtyrë të pajisur siç duhet, për të bërë vepra të mira, me dhunti për t’i shërbyer njëri-tjetrit për rritjen e gëzimit të përbashkët.

Kundër mendimit të njerëzve

Kam dëgjuar disa të thonë, duke përfshirë dhe veten time, se “Perëndia mori me të vërtetë lavdi atë kohë, pasi Ai më përdori në diçka të cilën nuk dija ta bëja mirë.” Kjo mund të tingëllojë si një mendim i përulur, por në fakt është i gabuar. Bazohet plotësisht te 2 e Korintasve 12:10, teksa injoron çdo varg tjetër rreth dhuntive. Po, me të vërtetë hiri mjafton. Me të vërtetë fuqia e Jezusit përsoset në dobësi. Pali ishte i dobët, kishte gjëra të cilat nuk i bënte dot. Dhe në fakt ai krenohej në dobësinë e tij. Gjithsesi dobësia nuk është mungesa e një dhuntie. Dobësia është pamundësi dhe mjerim.

Perëndia mund të të kërkojë të bësh diçka përtej dhuntive të tua dhe përmes saj mund të bekohen shumë njerëz. Madje, mund të kemi histori të fuqisë së Perëndisë që vepron te bijtë që nuk kanë dhunti, por ky është përjashtim. Rregulli është që Ati ka dërguar Frymën e Shenjtë për të na pajisur të shërbejmë. Lista e dhuntive është e gjatë—jo vetëm me dhunti shpirtërore, por edhe me mënyra të përgjithshme se si Perëndia na përdor. Ati na ka krijuar që të bekojmë në mënyra të caktuara. Është e rëndësishme të dallojmë dhuntitë tona me ndihmën e të tjerëve, në mënyrë që të bekojmë trupin e Krishtit.

Vrapo shpejt ose ec ngadalë, por me gëzim

Cili është ndikimi personal kur i shërben trupit të Krishtit sipas dhuntive të tua? Kënaqësi. Gëzim. Paqe. Ndalon së krahasuari veten me të tjerët. Nëse një mik ka dhunti shumë më të mëdha se të miat, le të gëzohem, sepse nuk ka grada në trupin e Krishtit. Nuk ka pse të jesh si korintasit krenarë, të gjykosh një mik, bashkëshort apo fëmijë duke e cilësuar dhuntinë dhe personalitetin tënd si më të mirë, në krahasim me mënyrën se si Perëndia i përdor ata. Na është kërkuar të bëjmë diçka që mund të na sjellë vëmendje, por nuk është dhunti e jona? Le të mos e pranojmë.

Le të ngazëllehemi me ata të cilët kanë dhunti të ndryshme nga ne, t’i quajmë miqtë tanë dhe të mos tundohemi drejt xhelozisë së paperëndishme apo krahasimit të padobishëm.

Një mënyrë e tillë e të menduarit të krijon mundësinë për të qenë i lirë. Mos pretendo se nuk ke dhunti të caktuara në emër të përulësisë. Mos u përpiq të jesh dikush që nuk je. Nëse Perëndia të bëri të shpejtë, vrapo dhe ndje kënaqësinë e Tij. Nëse je një person që ecën ngadalë dhe me vendosmëri, ec me gëzim bashkë me Të. Perëndishmëria e shoqëruar me gëzim ka dobi të madhe.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/flourish-god-not-gifted/

Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet