×

Pse shumë predikime dështojnë

Ngazëllimi shtjellues, përfshin vëmendje rigoroze ndaj çdo fjale të tekstit biblik, si mjet për të depërtuar në mënyrë radikale në realitetin që teksti ka për synim të komunikojë.

Jam duke u lutur kundër një lloji shumë të përhapur të predikimit, i cili është i bazuar te Bibla, por nuk është i zhytur në Bibël. Jam duke u lutur kundër leximit të një teksti, e cila pasohet nga një predikim që thekson pikat e veta, nganjëherë pika shumë të mira, të cilat gjenden në tekst, pa ju treguar njerëzve vetë fjalët dhe frazat nga të cilat janë nxjerrë këto pika. Jam duke u lutur kundër një lloj predikimi, i cili dështon t’i ndihmojë njerëzit të shohin se si teksti, në fakt, na çon te realiteti, i cili është i gjithë-rëndësishëm.

Cilat janë arsyet bazë për këtë bindje që një predikues duhet t’u tregojë njerëzve nga vetë fjalët e tekstit, se si ata mund ta shohin për veten e tyre realitetin që ai është duke kumtuar? Në këtë artikull do të diskutoj vetëm dy prej tyre.

1. Vetëm Fjala e Perëndisë ka autoritet

Së pari, autoriteti i predikimit qëndron në përputhjen e dukshme mes asaj që predikuesi po përpiqet të komunikojë me fjalët e tij dhe asaj që autorët biblikë po përpiqen të komunikojnë përmes fjalëve të frymëzuara të Shkrimit. Fjala kyçe këtu është e dukshme. Korrespondimi apo përputhja mes pikave të predikimit dhe kuptimit të fjalëve të Shkrimit, duhet të jetë i dukshëm.

Fjalët e Perëndisë janë mjeti më i mirë për shpalosjen e lavdisë së Perëndisë.

Predikuesi, i cili nuk e vret mendjen nëse njerëzit e tij e besojnë atë që ai thotë në lidhje me çështjet më madhore në botë është thjesht një sharlatan. Ai po bën lojëra fjalësh në një nga vendet më të shenjta në botë. Mendoj se shumica e predikuesve që besojnë se Bibla është fjala e Perëndisë, nuk janë sharlatanë. Domethënë, ata e marrin tepër seriozisht thirrjen e tyre për të thënë gjëra të cilat njerëzit duhet t’i besojnë. Ata dëshirojnë që njerëzit t’i besojnë dhe presin që njerëzit e tyre ta besojnë atë që ata thonë.

Predikimi im i parë në kishën Betlehem

Baza për këtë pritje të jashtëzakonshme është frymëzimi hyjnor dhe vërtetësia e plotë e Shkrimit. Predikuesi i krishterë synon që të flasë fjalën e Perëndisë. Ai dëshiron që ta besojnë, për shkak se po thotë atë që Perëndia dëshiron të thotë. Në predikimin e pare, që dhashë si pastor i kishës baptiste Betlehem, kur isha tridhjetë e katër vjeç, thashë kështu:

“Burimi i autoritetit tim në këtë foltore nuk është… urtësia ime; nuk është as ndonjë zbulesë personale që më është dhënë mua përtej zbulesës së Shkrimit. Fjalët e mia kanë autoritet vetëm deri në atë masë që ato janë përsëritje, shtjellim dhe zbatim me vend i fjalëve të Shkrimit. Unë kam autoritet, vetëm kur qëndroj nën autoritet… Bindja ime e thellë rreth predikimit është që një pastor duhet t’u tregojë njerëzve se, ajo që ai po u thotë tashmë ishte thënë apo ishte nënkuptuar në Bibël. Nëse nuk mund ta tregojë që është kështu, atëherë ajo nuk ka asnjë autoritet të veçantë.

Më sëmbon në zemër për pastorin që ia shton barrën vetes duke u përpjekur të gjejë ide për t’iu predikuar njerëzve të tij. Sa për mua, nuk kam asnjë gjë me vlerë të përjetshme për t’ju thënë, por Perëndia ka. Nga ajo fjalë, shpresoj dhe lutem që të mos lodhem kurrë t’ju flas. Jeta e kishës varet prej saj”.

Na thuaj atë që Perëndia ka për të na thënë

Në atë predikim, citova nga W. A. Criswell (1909–2002), i cili kishte qenë pastor i kishës së parë baptiste të Dallasit për dyzet vjet. E thashë atëherë dhe e besoj edhe sot, që fjalët e tij janë një këshillë e mirë për pastorët, të cilat mendoj se janë shumë të dobishme dhe të cilën unë vetë e marr si sfidë të madhe:

Kur dikush shkon në kishë, shpesh dëgjon një predikues në foltore që përsërit gjithçka që ka lexuar në gazeta dhe revista. Ai dëgjon sërish të njëjtat gjëra që ka dëgjuar në analizat televizive, i hapet goja për gjumë, largohet dhe luan golf ditën e dielë. Në fakt, kur dikush vjen në kishë, ai po ju thotë këtë gjë: “Predikues, e di se çfarë thonë analistët në televizor; e dëgjoj çdo ditë. E di se çfarë kanë për të thënë redaktorët e gazetave; i lexoj çdo ditë. E di çfarë kanë për të thënë revistat; i lexoj ato çdo javë. Predikues, ajo që dua të di është, a ka Perëndia ndonjë gjë për të thënë? Nëse Perëndia ka ndonjë gjë për të thënë, na e thuaj se cila është” (Why I Preach That the Bible Is Literally True).

Kjo do të thotë që nëse predikimi do të pretendojë se ka autoritet për t’u besuar, duhet të korrespondojë me atë që Shkrimi mëson. Megjithatë, ja ku qëndron hileja: Dëshira e predikuesit të krishterë nuk është që pikëmbështetja e sigurisë së njerëzve të zhvendoset nga Shkrimi te predikuesi, por ai dëshiron që ata ta besojnë atë që ai u thotë. Dëshiron të ketë autoritet në atë kuptim, por që autoriteti të qëndrojë te vetë Shkrimi, jo tek ai dhe te fjalët e tij.

“Më sëmbon në zemër për pastorin që ia shton barrën vetes duke u përpjekur të gjejë ide për t’iu predikuar njerëzve të tij.

Prandaj, kjo thjesht do të thotë se mesazhi jo vetëm duhet të korrespondojë me kuptimin e Shkrimit, por gjithashtu të tregojë që ashtu është. Autoriteti i predikimit qëndron në përputhjen e dukshme mes asaj që predikuesi po përpiqet të komunikojë përmes fjalëve të tij dhe asaj që autorët biblikë po përpiqen të komunikojë përmes fjalëve të frymëzuara të Shkrimit. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë mbi çfarë baze do të besonin dëgjuesit që kuptimi i predikimit është i njëjtë me kuptimin e Biblës? Ata mund të zbulojnë vetë që ashtu është, pa ndonjë ndihmë nga predikuesi, por pse do të donte predikuesi që ta bënte të vështirë që njerëzit ta shohin këtë korrespondim?

Tri arsye pse predikuesit shpesh dështojnë

Mua më duket se dështimi për t’u treguar njerëzve që kuptimi i predikimit gjendet në fjalët e Shkrimit, ka të ngjarë që është për shkak të paaftësisë, përtacisë apo supozimit. Supozimi që fjalët e tij kanë mjaft autoritet në vetvete. Përtaci, për shkak se është punë e vështirë, jo vetëm që të shohësh se çfarë kuptimi ka teksti, por gjithashtu të ngresh shpjegime bindëse, të cilat tregojnë që në fakt teksti biblik ka këtë kuptim. Paaftësi, për shkak se predikuesit i mungon aftësia për të treguar se si kuptimi i mesazhit, në fakt, korrespondon me kuptimin e Shkrimit. Këto janë tiparet të cilat predikuesi nuk duhet t’i ketë.

Tragjedia që ndodh me kalimin e kohës, në një kishë ku predikuesi nuk i kushton vëmendje rigoroze fjalëve të Shkrimit për t’i ndihmuar njerëzve të depërtojnë në realitetin që ajo komunikon është që fjala e Perëndisë pushon së ushtruari pushtetin e saj dhe njerëzit e humbasin interesimin e tyre për Shkrimet.

Kur ndodh kjo, gjithçka në kishë zhvendoset nga një orientim i gëzueshëm te Shkrimet. Njerëzit nuk janë më njerëz të udhëzuar nga Bibla. Pa ngopjen e Shkrimit, ata bëhen gjithnjë e më të cenueshëm ndaj erërave të mësimit të rremë dhe në mënyrë më të fshehtë ndaj kushtëzimit të shoqërisë jobesimtare. Prirjet e tyre bëhen si të botës dhe ushtrojnë trysni mbi udhëheqjen e kishës që të bëjnë gjithnjë e më shumë lëshime për gjërat që u pëlqejnë njerëzve jofrymërorë. Predikuesi mund të vrasë mendjen se cili është problemi, por nuk ka pse të shohë larg. Ai nuk e ka çmuar mjaft lart fjalën e Perëndisë për t’i bërë realitetet e saj të lavdishme përmbajtjen e mesazhit të tij, ndërsa u tregon njerëzve nga fjalët e tekstit se si mund t’i shohin vetë këto realitete dhe të rrëqethen prej tyre.

Kjo është arsyeja e parë për bindjen që predikuesi duhet t’u tregojë njerëzve të tij nga vetë fjalët e tekstit, se si ata mund ta shohin tyre realitetin që ai është duke iu kumtuar. Kështu ruhet autoriteti i Shkrimit si themeli i dukshëm për gjithë sa predikohet.

2. Vetëm Fjala e Perëndisë zgjon jetë

Arsyeja e dytë që një predikues duhet t’u tregojë njerëzve nga vetë fjalët e tekstit, se si ata mund të shohin vetë realitetin që ai po ju shpall, është që predikimi të ketë për qëllim të zgjojë dhe forcojë besim në Krishtin, gjë të cilën vetë Shkrimet janë projektuar që ta bëjnë me një efektshmëri më të madhe se çfarëdo mesazhi nga njeriu, i cili i zbeh fjalët dhe kuptimin e tyre.

Thelbi i besimit shpëtues është soditja e bukurisë supreme të Krishtit në ungjill dhe përqafimi i Tij si Shpëtimtar, si Zot dhe si thesarin më të madh në gjithësi. Këtë e them sepse mes shumë arsyesh të tjera, kjo gjë nënkuptohet te 2 e Korintasve 4:4: “Të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, e cila është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata”. Ekziston një dritë frymërore, e cila shkëlqen përmes ungjillit dhe kjo është drita e lavdisë së Krishtit.

Sa për mua, nuk kam asnjë gjë me vlerë të përjetshme për t’ju thënë, por Perëndia ka.

Satani i pengon jobesimtarët që ta shohin këtë lavdi. Kjo është arsyeja pse ata nuk mund të besojnë. Kjo është drita e lavdisë së Krishtit, të cilën personi duhet ta shohë në mënyrë që të besojë dhe të shpëtohet. Kjo lavdi shikohet me sytë e zemrës (Efesianëve 1:18), kur Fryma i Shenjtë e heq velin nga mendjet e tyre (2 e Korintasve 3:16). Pyetja jashtëzakonisht vendimtare të cilës predikuesit duhet t’i përgjigjen është kjo: Si do të predikoj, në mënyrë që të bëhem instrument i kësaj mrekullie? Si do të predikoj, në mënyrë që të zgjoj besim përmes një pamjeje të lavdisë së Krishtit?

Nuk ka gjë tjetër më bindëse

Përgjigja ime është që Perëndia i ka dhënë kishës një libër të frymëzuar, i cili është përmbushja e demonstrimit të Perëndisë për bukurinë dhe vlerën e Krishtit. Ky është portreti i plotë i Perëndisë për lavdinë e Birit të Tij, për kuptimin e veprës së Tij nga përjetësia në përjetësi, si dhe për rrjedhojat e kësaj gjëje në jetën njerëzore. Portreti hyjnor i Krishtit është mjeti i caktuar prej Perëndisë, për krijimin e besimit shpëtues. Fjalët e Perëndisë janë mjeti më i mirë për shpalosjen e lavdisë së Perëndisë.

Prandaj, predikimi që shpresojmë se Perëndia do ta përdorë për të krijuar besim shpëtues, nuk ka për të hamendësuar se ka një portret më tepër bindës për lavdinë e Krishtit që predikuesi mund ta krijojë, nëse e anashkalon apo e zbeh portretin e Shkrimit në vetë fjalët e Shkrimit. Në vend të kësaj, synimi i predikuesit ka për të qenë që ta nxisë vëmendjen e njerëzve ndaj fjalëve të Shkrimit dhe përmes tyre të zbulojë realitetin e lavdisë së gjithë asaj që Perëndia është për ne, në Jezusin.

Shkrimi është fjala hyjnore ku shkëlqen lavdia! Synimi ynë është ta fokusojmë vëmendjen e njerëzve tek ajo fjalë, në atë mënyrë që ata të shohin vetë atë lavdi dhe kështu të besojnë.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet