×
“Sepse, duke qenë se bijtë kanë të përbashkët mishin dhe gjakun, po ashtu edhe ai u bë pjesëtar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes atë, që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.” (Hebrenjve 2:14-15)

Hebrenjve 2:14-15, mendoj se është teksti im i parapëlqyer për Adventin, sepse nuk njoh asnjë tekst tjetër që e shpreh kaq qartë lidhjen mes fillimit dhe fundit të jetës tokësore të Jezusit–mes mishërimit dhe kryqëzimit. Këto dy vargje e bëjnë të qartë arsyen pse Jezusi erdhi për të vdekur këtu në tokë. Ato mund të përdoren shumë mirë me një mik apo familjar që nuk beson, për t’i udhëhequr hap pas hapi në pikëpamjen tënde të krishterë për Krishtlindjen. Biseda mund të bëhet frazë pas fraze:

Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku…

Termi “bijtë” vjen nga vargu pararendës (Hebrenjve 2:13) dhe i referohet pasardhësve frymërorë të Krishtit, Mesias (shih Isaia 8:18; 53:10). Këta janë gjithashtu “bijtë e Perëndisë” (Gjoni 1:12). Me fjalë të tjera, me dërgimin e Krishtit, Perëndia ka për qëllim veçanërisht shpëtimin e “bijve” të Tij .

Është e vërtetë që “Perëndia e deshi aq botën sa dha [Jezusin]” (Gjoni 3:16), por është gjithashtu e vërtetë që Perëndia po mblidhte veçanërisht “bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë” (Gjoni 11:52). Plani i Perëndisë ishte t’i ofronte botës Krishtin dhe të shkaktonte shpëtimin e bijve të Tij (shih 1 e Timoteut 4:10). Mund të përjetosh birësimin nga Perëndia duke pranuar Krishtin (Gjoni 1:12):

…po ashtu edhe ai u bë pjesëtar në po ato gjëra [mish dhe gjak]…Kjo do të thotë se Krishti ekzistonte para mishërimit. Ai ishte frymë, Ai ishte Fjala e përjetshme, Ai ishte me Perëndinë dhe ishte Perëndi (Gjoni 1:1, Kolosianëve 2:9). Prapëseprapë, Ai mori mish dhe gjak, dhe kështu e veshi hyjninë e Tij me natyrë njerëzore. Ai u bë plotësisht njeri dhe mbeti plotësisht Perëndi. Ky është një mister i madh në shumë mënyra, por kjo e vërtetë qëndron në zemrën e besimit tonë dhe Bibla këtë na mëson.

…që…me anë të vdekjes…

Arsyeja pse Krishti u bë njeri, ishte që të vdiste. Si Perëndi, thjesht dhe qartë, Ai nuk mund të vdiste dot për mëkatarët, por si njeri mund ta bënte. Synimi i Tij ishte të vdiste, prandaj duhej të lindte si njeri. Ai lindi për të vdekur. E premtja e mirë është arsyeja e Krishtlindjes. Ja çfarë kanë nevojë të dëgjojnë shumica e njerëzve sot për kuptimin e Krishtlindjes.

…që të shkatërronte… atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin…

Duke vdekur, Krishti e çarmatosi djallin. Si e bëri Ai këtë? Duke i mbuluar të gjitha mëkatet tona. Kjo do të thotë se satani nuk ka asnjë bazë të ligjshme për të na akuzuar para Perëndisë. “Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është Ai që i shfajëson.” (Romakëve 8:33)–mbi çfarë baze i shfajëson Ai? Përmes gjakut të Jezusit (Romakëve 5:9).

Arma përfundimtare e satanit kundër nesh është vetë mëkati ynë. Nëse vdekja e Krishtit e heq mëkatin, djallit i hiqet nga duart arma e tij kryesore–e vetmja armë vdekjeprurëse që ai ka. Ai nuk mund të na akuzojë për të na dënuar me vdekje, për shkak se Gjykatësi na ka shfajësuar përmes vdekjes së Birit të Tij!

…edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.

Ne, pra, jemi të lirë prej frikës së vdekjes. Perëndia na ka shfajësuar. Satani nuk mund ta shfuqizojë dot atë dekret. Perëndia ka për qëllim që siguria jonë përfundimtare të ketë një efekt të menjëhershëm në jetën tonë. Ai ka për qëllim që fundi i lumtur të heqë qafe skllavërinë dhe frikën tonë të tanishme.

Nëse nuk kemi pse të kemi frikë prej armikut tonë të fundit dhe më të madh, vdekjes, atëherë nuk ka pse të kemi frikë nga asnjë gjë. Ne mund të jemi të lirë, të lirë për t’u gëzuar, të lirë për të tjerët.

Çfarë dhurate të madhe Krishtlindjeje na ka dhënë Perëndia! Çfarë dhurate të madhe që ne mund t’i japim botës!

Shënim i redaktorit: 

Këto lexime ditore u mundësuan nga dritez.al

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet