×

Shumë njerëz thonë se të krishterët të cilët ruajnë doktrinat tradicionale historike janë të prapambetur, tepër përjashtues dhe ‘në anën e gabuar të historisë’.

Dy libra të kohëve të fundit që hedhin dyshim mbi këtë pikëpamje janë nga historiani dhe studiuesi biblik, Larry Hurtado: Destroyer of the Gods: Early Christian Distinctiveness in the Roman World [Shkatërruesi i perëndive: Dallimet e hershme të krishtera në botën romake] dhe Why on Earth Did Anyone Become a Christian in the First Three Centuries? [Pse vallë të bëhej dikush i krishterë në tre shekujt e parë?]

Të krishterët e hershëm u tallën shumë, në mënyrë të veçantë, nga elita kulturore, u përjashtuan nga qarqet e ndikimit dhe biznesit, dhe shpesh u përndoqën dhe u vranë. Hurtado thotë se autoritetet romake ishin në mënyrë të veçantë armiqësore ndaj tyre, në krahasim me grupet e tjera fetare.

Pse? Pritej që njerëzit të kishin perënditë e tyre, por gjithashtu që të ishin të gatshëm të tregonin nderim edhe për gjithë perënditë e tjera. Pothuaj çdo shtëpi, çdo qytet, çdo shoqatë profesionale,  ku përfshihej edhe vetë perandoria, secila prej tyre kishte perënditë e veta. Madje nuk mund të shkonit dot për një vakt në një shtëpi të madhe apo në një ngjarje publike, pa kryer një farë rituali për të nderuar perënditë e atij grupi apo vendi të caktuar. Të mos e bëje këtë gjë ishte ofendim i madh, të paktën për shtëpinë apo komunitetin. Gjithashtu, ishte e rrezikshme përderisa mendohej se një sjellje e tillë mund të shkaktonte zemërimin e perëndive. Në fakt, mos nderimi i perëndive të perandorisë mbi autoritetin hyjnor të të cilave mbështetej ligjshmëria e saj, shihej si tradhti.

Megjithatë, të krishterët i panë këto rituale dhe nderim si idhujtari. Ata ishin të përkushtuar ndaj adhurimit vetëm të Perëndisë së tyre. Edhe pse judenjtë kishin të njëjtën pikëpamje, ata në përgjithësi toleroheshin për shkak se ishin një grup i caktuar etnik dhe veçantia e tyre konsiderohej si funksion i etnisë së tyre. Krishterimi u përhap mes të gjitha grupeve etnike dhe shumica e besimtarëve që ishin dikur paganë, pas konvertimit, refuzonin të nderonin perëndi të tjera. Ky refuzim krijoi probleme të mëdha shoqërore duke e bërë të vështirë dhe të pamundur që të krishterët të pranoheshin në shumicën e mbledhjeve publike. Nëse një anëtar familjeje apo një shërbëtor bëhej i krishterë, krejt papritur refuzonte t’i nderonte perënditë e familjes.

Përhapja e krishterimit u pa si diçka armiqësore ndaj rendit shoqëror, një kërcënim për mënyrën e jetës të kulturore. Ndjekësit e Jezusit u konsideruan si tepër përjashtues për të qenë qytetarë të mirë.

Tri arsye pse krishterimi pati një rritje shpërthyese

Nën dritën e kostove të jashtëzakonshme shoqërore, për të qenë i krishterë në tre shekujt e parë, si shpjegohet që njerëzit u bënë të krishterë? Pse u rrit krishterimi në mënyrë kaq të jashtëzakonshme? Çfarë ofronte krishtërimi, gjë e cila ishte shumë herë më e madhe se sa kostot?

Hurtado dhe të tjerë kanë vënë në dukje tri gjëra:

1. Të krishterët ishin thirrur në një “projekt shoqëror” unik, i cili njëkohësisht i ofendonte dhe i tërhiqte njerëzit.

Të krishterët ndalonin si abortin, ashtu edhe ‘ekspozimin e foshnjave’, kur foshnjat e padëshiruara braktiseshin. Të krishterët gjithashtu ishin kundër kulturës seksuale, për faktin se ata abstenonin nga çdo praktikë seksuale, përveç martesës heteroseksuale. Kjo ndodhi në mes të një shoqërie e cila mendonte se, në mënyrë të veçantë për burrat e martuar, seksi me prostitutat, skllavet dhe fëmijët ishte përsosmërisht në rregull.

Megjithatë, të krishterët ishin jashtëzakonisht bujarë me paranë e tyre, në mënyrë të veçantë ndaj të varfërve dhe nevojtarëve, dhe jo vetëm ndaj familjes apo grupit të tyre etnik. Një dallim tjetër i spikatur ishte se komunitetet e krishtera ishin shumë kulturore, përderisa identiteti i tyre i përbashkët në Krishtin ishte edhe më themelor se sa identitetet e tyre etnik dhe si rrjedhim krijuan një larmi shumë kulturore, e cila ishte e padëgjuar për një fe. Përfundimisht, të krishterët besonin se nuk duhej të merrnin hak, duhej të falnin armiqtë e tyre, madje edhe ata që i vrisnin.

2. Krishterimi ofronte një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, personale dhe të dashur me Perëndinë Krijues.

Njerëzit përreth të krishterëve dëshironin favor nga perënditë dhe fetë lindore flisnin rreth përjetimeve të ndriçimit, por një marrëdhënie reale e dashur me Perëndinë ishte diçka të cilën nuk e ofronte askush tjetër.

Lightstock

3. Krishterimi ofronte sigurinë e jetës së përjetshme.

Çdo fe tjetër ofronte një farë versioni të shpëtimit përmes përpjekjeve njerëzore dhe si rrjedhim askush nuk mund të ishte i sigurt për jetën e përjetshme derisa të vdiste. Ndërsa ungjilli na jep bazën dhe sigurinë e plotë të shpëtimit, përderisa është përmes hirit dhe jo përmes veprave, përmes veprës së Krishtit dhe jo përmes veprave tona.

Kisha e hershme dhe kohët e sotme

Shpresoj që tani ta keni kuptuar vlerën e këtyre studimeve. Kisha e hershme shihej si tepër përjashtuese dhe si kërcënim për rendin shoqëror, për shkak se nuk i nderonte të gjitha hyjnitë; në kohën e sotme të krishterët shihen sërish si përjashtues dhe si kërcënim për rendin shoqëror, për shkak se nuk i nderojmë të gjitha identitetet.

Kisha e hershme shihej si tepër përjashtuese dhe si kërcënim për rendin shoqëror, për shkak se nuk i nderonte të gjitha hyjnitë; në kohën e sotme të krishterët shihen sërish si përjashtues dhe si kërcënim për rendin shoqëror, për shkak se nuk i nderojmë të gjitha identitetet.

Megjithatë, kisha e hershme lulëzoi në atë situatë. Pse?

Një arsye ishte sepse të krishterët u qortuan si tepër të ndryshëm dhe përjashtues. Megjithatë, shumë njerëz u tërhoqën te krishterimi për shkak se ishte i ndryshëm. Nëse një fe nuk është e ndryshme nga kultura përreth, nëse nuk e kritikon dhe nuk ofron një alternativë ndaj saj, vdes për shkak se shihet si e panevojshme. Nëse të krishterët sot do të ishin gjithashtu të famshëm dhe të karakterizuar nga dëlirësia, bujaria dhe drejtësia, nga tipari shumë kulturor dhe paqe-bërja; a nuk do të ishte kjo tërheqëse për shumë njerëz? Në mënyrë ironike, të krishterët nuk ecnin me ‘ritmin’ e kulturës, kur binte fjala për seksin dhe me kalimin e kohës nuk ndryshoi kisha, por kultura.

Nëse një fe nuk është e ndryshme nga kultura përreth, nëse nuk e kritikon dhe nuk ofron një alternativë ndaj saj, vdes për shkak se shihet si e panevojshme. . . . Kisha e hershme dukej sikur gjendej në “anën e gabuar të historisë”, por ajo në fakt e ndryshoi kulturën me një besnikëri të palëkundur ndaj ungjillit biblik.

Një arsye tjetër pse krishterimi lulëzoi ishte për shkak se ofronte gjëra të cilat asnjë kulturë apo fe tjetër nuk pretendonte t’i kishte, një marrëdhënie të dashur me Perëndinë dhe shpëtimin përmes hirit falas. E njëjta gjë është edhe sot. Asnjë fe tjetër nuk i ofron këto gjëra dhe as laicizmi. As ideja “jemi frymërorë, por jo fetarë” nuk mund t’i ofrojë dot. Këto janë ende “oferta me vlerë” unike dhe mund t’i ofrohen një popullate të uritur dhe të etur.

Kisha e hershme dukej sikur gjendej në “anën e gabuar të historisë”, por ajo në fakt e ndryshoi kulturën me një besnikëri të palëkundur ndaj ungjillit biblik. Kjo duhet të jetë edhe aspirata jonë.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet