×

Kurdoherë që ka një krizë globale kataklizmike; qoftë luftë, ushtima lufte apo si virusi i ri korona, dallojmë një rritje të fortë interesi për librin e Zbulesës; edhe pse t’i kushtosh vëmendje Biblës është gjithmonë gjë e mirë. Zbulesa përdoret shumë shpesh (nga të krishterët dhe jo të krishterët) në një mënyrë që kontribuon më pak në ndërtimin e trupit të Krishtit dhe më tepër për të ndezur zjarret e spekulimeve të pafre dhe teorive të fshehta dhe pa bazë.

Prandaj, mund të jetë e dobishme që të kuptojmë se çfarë lloj libri është Zbulesa dhe si t’i kuptojmë imazhet si shenja e bishës. Për shenjën e bishës do të flasim në pjesën e tretë dhe të fundit të kësaj serie të shkurtër artikujsh. Ndaj, para se të arrijmë atje dëshiroj të shkruaj dy artikuj për të parë se për çfarë bën fjalë Zbulesa dhe si duhet ta interpretojmë këtë libër jo-aq-të-çuditshëm-sa-duket.

Tabloja e madhe

Ndoshta asnjë libër tjetër i Biblës nuk ka qenë më i vështirë për t’u kuptuar nga të krishterët (se sa Zbulesa) dhe si rezultat, nuk ka pasur teologji më të çuditshme se ato që janë prodhuar për këtë libër. Edhe pse libri quhet “Zbulesa”, ai ka qenë gjithçka tjetër, por jo zbulesë për shumë të krishterë. Për shumë prej nesh, Zbulesa është një libër i mbyllur që nuk korrigjon, nuk mëson, nuk qorton, nuk trajnon në drejtësi sikurse duhet të bëjë i gjithë Shkrimi.

Më kujtohet që po jepja mësim përgjatë një pjese të Zbulesës për një klasë të shkollës së të dielës, shumë vite më parë dhe po ia tregoja mamasë në telefon. Ajo tha diçka të tillë si: “Kevin, nuk do sillesh sikur ke kuptuar gjithçka, apo jo? John Calvin madje nuk shkroi asnjë komentar për Zbulesën. Ti nuk di më shumë se John Calvin, apo jo?” Është e vërtetë që Calvin nuk shkroi një komentar për Zbulesën (një nga librat e pakët për të cilët nuk shkroi) dhe është e vërtetë që nuk kam kuptuar gjithçka. Ndaj, pjesa më e madhe e Zbulesës mund të kuptohet dhe zbatohet veçse nëse kalojmë kohë për ta studiuar.

Në fakt, i gjithë libri i Zbulesës mund të përmblidhet në një fjalë: nike. Nike është fjalë në greqisht që do të thotë ‘fitore’. Ajo shfaqet një herë në Besëlidhjen e Re te 1 e Gjonit 5:4, ku thotë: “Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë.” Një formë tjetër e fjalës nikos shfaqet katër herë të tjera, tri herë te 1 e Korintasve 15 (p.sh. “Vdekja u përpi nga fitorja”; “Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht”) Folja e kësaj fjale, nikao (do të thotë të fitosh, të ngadhënjesh, të triumfosh) shfaqet më shpesh; 28 herë. Shtatëmbëdhjetë nga ato shfaqje, më tepër se në gjithë pjesën tjetër të Besëlidhjes së Re gjenden te Zbulesa.

Zbulesa është historia se si djalli përpiqet ta mundë kishën, por kisha ngadhënjen, e mposht djallin dhe botën, për shkak se ajo i përket Zotit, i cili e ka korrur fitoren për ne (Zbulesa 5:5; 17:14). Libri i Zbulesës jep udhëzime për besimtarët se si të fitojnë në vend që të munden, si të triumfojnë në vend që të shkelen me këmbë dhe si të jenë fitimtarë në vend që të jenë të mposhtur. Kjo është arsyeja pse secila nga shtatë letrat drejtuar shtatë kishave përmbyllet me frazën ‘kush fiton…’. Nëse përkulemi dhe dorëzohemi para përndjekjes, nëse i jepemi frymës së botës dhe u dorëzohemi tundimeve të djallit, do të humbasim, por nëse fitojmë përmes sprovave, vuajtjes dhe të mos pasurit rëndësi në dukje, do të fitojmë (Zbulesa 21:6-7). Drejt kësaj pike po shkon historia dhe kjo është ideja e madhe dhe kryesore e librit të Zbulesës.

Hartë (e mundshme) për marrëzinë (në dukje)

Nuk ka një mënyrë të vetme të frymëzuar për ta kuptuar strukturën e Zbulesës. Kur po e studioja këtë libër në thellësi, para disa vitesh gjeta 11 skica të ndryshme, gjë e cila sugjeron se ka të ngjarë që nuk ka një strukturë të vetme të dukshme të cilën duhet ta dallojmë.

Një përqasje e thjeshtë është ta shohim librin e Zbulesës të ndarë në dy pjesë të mëdha. Kapitujt 1-11 prezantojnë historinë e triumfit të Perëndisë dhe kapitujt 12-22 shpjegojnë historinë me më tepër hollësi, dhe kësaj here zbulon më në thellësi rolin e ligësisë përmes bishës, profetit të rremë dhe lavirës së Babilonisë.

Një mënyrë tjetër për t’iu qasur këtij libri është që ta ndani atë në katër pjesë kryesore, ku secila dallohet nga fraza ‘gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti’ apo ‘do të ndodhin pas këtyre.’

Zbulesa 1:1 “Zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti.”

Zbulesa 1:19 “Shkruaj, pra, gjërat që pe, ato që janë dhe ato që do të ndodhin pas atyre.”

Zbulesa 4:1 “Ngjitu këtu dhe do të të tregoj gjërat që duhet të ndodhin pas këtyre gjërave.”

Zbulesa 22:6 “Dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti.”

Gjuha në këto katër pjesë vjen nga Danieli 2 dhe vë në dukje që profecia e Dhiatës së Vjetër tashmë është plotësuar dhe ende jo tërësisht në librin e Zbulesës.

Ka një mënyrë tjetër për ta skicuar librin në katër pjesë kryesore. Kjo përqasje bazohet te pjesët ku Gjoni thotë që u rrëmbye në Frymë.

Zbulesa 1:10 “Isha në Frymë ditën e Zotit dhe dëgjova pas meje një zë të madh si nga një bori.”

Zbulesa 4:2 “Dhe menjëherë erdha në frymë; dhe ja, një fron ishte në qiell dhe mbi fron rrinte një i ulur.”

Zbulesa 17:3 “Dhe më çoi në Frymë në një shkretëtirë.”

Zbulesa 21:10 “Dhe më çoi në Frymë mbi një mal të madh dhe të lartë, dhe më tregoi qytetin e madh, Jeruzalemin e shenjtë, që zbriste nga qielli, nga Perëndia.”

Duke e parë në këtë mënyrë, Zbulesa konsiston në katër vizione kryesore të cilat Gjoni i pa ndërsa ishte në Frymë në katër raste të ndryshme.

Megjithatë, një mënyrë tjetër për t’ju qasur librit (dhe këto përqasje nuk është se e përjashtojnë njëra – tjetrën) ,është ta shohësh për grupe shtatash. Të gjithë e dallojnë që shtata është numër kritik në librin e Zbulesës dhe që ka të paktën katër grupe shtatash; shtatë letra, shtatë vula, shtatë bori dhe shtatë kupa. Për këtë bien dakord të gjithë. Por pas kësaj, gjërat bëhen më pak të qarta. Përderisa duket qartë që ka të paktën katër grupe shtatash, shumë studiues kanë vrarë mendjen nëse duhet të shohim për shtatë grupe shtatash. Unë jam i bindur që ka shtatë grupe shtatash, por sigurisht që nuk do tregohem dogmatik për këtë gjë. Skica ime, e cila është e ngjashme me skicat që kam parë nga të tjerët, duket kështu:

Prologu: 1:1-8

  1. Shtatë letra: 1:9-3:22
  2. Shtatë vula: 4:1-8:5
  3. Shtatë bori: 8:6-11:19
  4. Shtatë vizione: 12:1-15:4
  5. Shtatë kupa: 15:5-16:21
  6. Shtatë gjykime: 17:1-19:10
  7. Shtatë gjëra të fundit: 19:11-21:8
  8. Nusja e bukur: 21:9-22:21

Do të vini re që ka një pjesë të tetë që nuk është një grup shtatash. Një pjesë e tetë ka kuptim që për shkak se teta (8) shpesh është numri i krijimit të ri në Bibël (Jezusi u ringjall në ditën e tetë/dita e parë e një jave të re, tetë njerëz krijuan njerëzimin e ri pas përmbytjes, bijtë duhej të rrethpriteshin ditën e tetë) dhe kjo pjesë e tetë ka të bëjë me qiejt dhe tokën e re, por nuk ka asgjë të frymëzuar rreth skicës së mësipërme. Ajo është thjesht një mënyrë për ta bërë librin më te menaxhueshëm dhe për të formuar disa modele të mundshme me disa që duken qartë.

Lentja jonë interpretuese

Gjëja e fundit që dëshiroj të bëj në këtë artikull është të shoh mënyrat e ndryshme se si të krishterët e kanë kuptuar librin e Zbulesës. Ekzistojnë katër shkolla kryesore mendimi:

Shkolla e parë e interpretimit quhet preterizëm. Përqasja preteriste mëson që një pjesë e madhe e librit të Zbulesës u përmbush në shekullin e parë, në mënyrë specifike në shkatërrimin e tempullit në vitin 70 pas Krishtit. Për më tepër, shumica e profecive në librin e Zbulesës, u përmbushën nga shkatërrimi i perandorisë romake në shekullin e katërt.

Pika e fortë e shkollës preteriste është që e vendos librin e Zbulesës në kontekstin e vet origjinal. Zbulesa iu shkrua të krishterëve të shekullit të parë (shek I) duke përdorur metafora, imazhe dhe referenca që i përkasin atij shekulli. Nëse kalojmë në shekullin 21 dhe pyesim: “Çfarë kuptimi ka kjo për mua?”, është pothuajse e sigurt që do të marrim përgjigjen e gabuar. Së pari, duhet të pyesim: “Çfarë kuptimi kishte kjo për ata, domethënë për audiencën origjinale te Gjoni?”

Preterizmi nuk është pa pikat e veta të dobëta. Së pari, disa preteristë përpiqen të gjejnë një përmbushje të vetme dhe specifike të profecisë së Zbulesës, kur duket se ka më tepër gjasa që vizionet e Gjonit shpesh portretizojnë beteja dhe përleshje të përgjithshme frymërore të cilat shfaqen përgjatë epokave. Së dyti, preteristët e mirëfilltë, argumentojnë që të gjitha ndodhitë e kohëve të fundit, si ardhja e dytë dhe gjykimi i fundit, në fakt u përmbushën në vitin 70 pas Krishtit. Kjo nuk duket se përputhet me gjuhën kataklizmike që përdoret në fund të çdo faze.

Shkolla e dytë e interpretimit quhet historicizëm. Historicisti e lexon librin e Zbulesës si një hartë të drejtpërdrejtë dhe në rend të historisë. Zbulesa shihet sikur parashikon një numër të caktuar figurash dhe ndodhish historike nga Napoleoni te Hitleri, te Bashkimi Evropian dhe te Kombet e Bashkuara.

Pika e fortë e historicizmit është që e bën librin e Zbulesës të përshtatshëm për të gjithë të krishterët. Kjo përqasje e fokuson vëmendjen tonë jo te rënia e tempullit apo e perandorisë romake, por te mënyra se si duhet të jetë kisha në botë.

Por, përveç kësaj pike të fortë, historicizmi është mënyra më e keqe për t’u përpjekur ta kuptosh Zbulesën. Kjo përqasje është plot dobësi. Më lejoni që shpejt e shpejt të përmend vetëm katër prej tyre.

Së pari, historicizmi shpesh është anakronik dhe e nxjerr librin e Zbulesës nga konteksti i vet origjinal. Jam duke menduar për ata që argumentojnë se vendi i veriut (nga Daniel, jo Zbulesa) duhet të jetë Rusia, apo që ushtria e karkalecave nga Zbulesa 9 është duke paratreguar një batalion helikopterësh. Këto lloj interpretimesh i injorojnë tërësisht imazhet e profecive të lashta dhe kontekstin e shekullit të parë.

Së dyti, historicizmi, me parashikimet e veta për fundin e botës dhe identifikimet e bishës, shpesh ka qenë dukshëm gabim. Gjatë luftës së ftohtë, njerëzit shihnin Rusinë në librin e Zbulesës. Para një dhjetëvjeçari ishte Iraku. Tani shohin virusin korona. Pas disa vitesh do të kapen me diçka tjetër. Historicistët priren ta shohin librin e Zbulesës që po përmbushet në çfarëdo lloj krize që kalon bota. Pastaj në një ditë tjetër, një grup tjetër historicistësh e shohin që ajo pikëpamje ishte e gabuar dhe do gjejnë diçka krejtësisht të ndryshme.

Së treti, historicizmi i kufizon profecitë e librit të Zbulesës në një vend apo personalitet ekskluziv, në vend që të lejojë që imazhet e Zbulesës mund të jenë mjaft të përshtatshme për një numër përfshirës figurash dhe kohësh të ndryshme. Ajo që dua të them është se unë mendoj që historicistët bëjnë mirë kur e shohin Zbulesën të shpaloset në histori, por e kanë gabim kur mendojnë që Zbulesa po shpaloset në mënyrë unike në një moment historik.

Së katërti, historicizmi përfundimisht është subjektiv. Thjesht nuk ka asnjë standard objektiv për interpretim. Kush mund të thotë që Hitleri ishte më tepër bishë se Stalini? Apo që numri 666 i referohet Bill Clinton (sikurse argumenton një faqe interneti që kam gjetur)? Apo sikurse thotë një artikull tjetër që Ronald Wilson Reagan (gjashtë shkronja në secilin prej emrave të tij!) ishte bisha? E gjithë kjo është fatkeqësisht subjektive. Teksti thotë, atë  që ne duam të thotë.

Shkolla e tretë e interpretimit është futurizmi. Futuristi e lexon librin e Zbulesës (kapitujt 4-22) si profeci që ka të bëjë vetëm me të ardhmen e largët. Ndodhitë e përshkruara i referohen kohës që përfshin vetë fundin e historisë dhe kohën që e paraprin menjëherë. Dispensacionalistët1 janë futuristë (edhe pse jo të gjithë futuristët janë dispensacionalistë).

Pika e fortë e futurizmit është që thekson mënyrën se si Zbulesa i flet të ardhmes jo vetëm për të shkuarën. Futurizmi ka të drejtë kur i sheh disa gjëra në librin e Zbulesës që trajtojnë përmbushjen finale të historisë njerëzore. Ata gjithashtu kanë të drejtë të shohin që e ardhmja po shkon drejt një synimi, drejt triumfit të Qengjit.

Por edhe futurizmi ka dobësitë e veta.

Së pari, nëse Zbulesa 4-22 ka të bëjë plotësisht dhe vetëm me të ardhmen e largët, atëherë pjesa më e madhe e Zbulesës zor se kishte ndonjë lidhje me lexuesit e saj origjinalë. Sigurisht që do t’i kishte ndihmuar ata ta shihnin fundin e botës, por në fakt kishte fare pak për t’i thënë kontekstit të tyre të afërt (kur Gjoni thotë Zbulesa zbulon “gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti”).

Së dyti, futurizmi shpesh pranon një kronologji të rreptë të ndodhive. Megjithatë, nuk mund të hamendësojmë që ajo e cila na tregohet në kapitullin 12, ndodh në kohë pas asaj që shohim në kapitullin 6. Përkundrazi, një prej çelësave në interpretimin e Zbulesës është të kuptojmë që vizionet e saj përsëriten. Pra, Zbulesa na jep një shikim përgjatë historisë në shtatë vulat dhe pastaj kalon sërish në shtatë kupat. Ajo përmban profeci të mbivendosura që shkojnë para dhe pas, mes të tashmes dhe të ardhmes dhe nuk janë kronologjike në mënyrë të rreptë.

Mos i mendoni vizionet e Zbulesës si skenat e një filmi që shihni në dritë njëra pas tjetrës. Mendojini vizionet e Zbulesës si portrete në një galeri. Shikoni një portret dhe kapni një copëz të realitetit, dhe pastaj shihni portretin tjetër, pastaj kaloni në dhomën ngjitur dhe shihni portretet e ekspozuara aty. Ato janë tablo që tregojnë të njëjtën histori dhe flasin për të njëjtin realitet, por nuk janë klipe të njëpasnjëshme nga një film.

Shkolla e katërt e interpretimit është idealizmi. Idealisti e lexon librin e Zbulesës si një konflikt simbolik mes forcave të së mirës dhe të së keqes. Idealistët argumentojnë që libri i Zbulesës nuk tregon figura të caktuara historike, por përshkruan përleshjen e përjetshme mes Perëndisë dhe satanit. Ata e interpretojnë librin e Zbulesës si një seri tablosh simbolike të përsëritura, duke u fokusuar në përleshjen triumfuese të kishës nga shekulli i parë deri në gjykimin e fundit dhe në gjendjen e përjetshme.

Pika e fortë e idealizmit është që e kupton natyrën simbolike të Zbulesës. Kjo përqasje kupton që imazhet e Zbulesës janë rrënjosur së pari në gjuhën e Dhiatës së Vjetër dhe së dyti në botën që njihej në shekullin e parë. Pika tjetër e fortë e përqasjes idealiste është që sheh pas kontekstit të shekullit të parë realitete të thella frymërore, të cilat do të jetojnë më gjatë dhe që e tejkalojnë Romën e lashtë dhe të cilat mbeten të përshtatshme për besimtarët përgjatë epokave.

Pika e dobët e përqasjes idealiste është që me raste mund të ndodhë që të mos e theksojë sa duhet faktin se e gjithë historia është duke shkuar drejt një synimi të caktuar. Domethënë, nganjëherë idealizmi tingëllon i mjegullt, sikur të mos kishte një pikë synimi përfundimtar në histori ashtu siç e njohim ne, sikur libri i Zbulesës të kishte të bënte thjesht me përleshjen mes të mirës dhe të keqes dhe jo gjithashtu me triumfin përfundimtar të Jezu Krishtit.

Interpretoje librin

Pra, cila prej këtyre përqasjeve mendoj unë se na ndihmon që ta kuptojmë më mirë librin e Zbulesës? Unë mendoj që secila përqasje na ofron diçka të nevojshme. Kjo nuk do të thotë që secila nga përqasjet është e mirë apo që njëra nuk është më e mirë se tjetra (Unë në thelb jam idealiste me një prirje të pjesshme preteriste). Çdo shkollë interpretimi ofron diçka të rëndësishme.

Me përqasjen preteriste duhet ta lexojmë Zbulesën në kontekstin e saj të menjëhershëm.

Me përqasjen idealiste, duhet ta shohim librin e Zbulesës si një portretizim simbolik të punës së Perëndisë pjesa më e madhe e të cilit mund të zbatohet në çdo kohë historike.

Me përqasjen futuriste, duhet ta lexojmë librin e Zbulesës duke pasur në mendje fundin e historisë, duke dalluar që libri përshkruan pjesërisht ardhjen e dytë, gjykimin e fundit dhe gjendjen e përjetshme.

Dhe me përqasjen e historicizmit, duhet të kuptojmë që profecitë e Zbulesës, edhe pse nuk janë të kufizuara në një shfaqje të caktuar, përmbushen në kohë dhe në hapësirë.

Mënyra më e mirë për ta mbrojtur skemën interpretuese të dikujt është që në fakt ta interpretosh librin. Meqë kjo është një seri artikujsh me tri pjesë dhe jo një seri me 50 predikime, do të na duhet të kënaqemi vetëm me një artikull tjetër rreth kësaj teme. Në tri vargjet e para, Gjoni e bën të qartë që ky libër është një zbulesë, një profeci dhe një letër. Sapo ta dimë se çfarë përmbledh secili prej këtyre termave, do jemi të pajisur më mirë për ta kuptuar librin si një të tërë si dhe imazhet specifike si shenja e bishës.

Shënim i redaktorit: 


  1. Dispensacionalist: Një i krishterë që përqafon një sistem teologjik i cili mëson se historia biblike kuptohet më mirë nën dritën e një numri qeverisjesh të njëpasnjëshme të Perëndisë me njerëzimin të cilat i quan “epoka.” (Burimi: Theopedia.com).
SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet