×

Nuk është çudi që çdo sondazh dhe hulumtim del në të njëjtin përfundim: “Në dy dekadat e fundit, numri i amerikanëve të deklaruar si ateistë, agnosticistë, njerëz që nuk i përkasin ndonjë besimi apo ata që nuk besojnë fare, ka pësuar vetëm rritje.” Çdo brez, që nga brezi X, te mijëvjeçarët e deri te brezi Z, janë më pak fetarë dhe me një pjesëmarrje në kishë gjithnjë në rënie, krahasuar me brezin paraardhës.

Kjo do të thotë se të krishterët duhet të flasin me fqinjët, kolegët dhe miqtë e tyre për besimin dhe arsyet se përse besojnë, por një gjë e tillë nuk po ndodh. Një studim i kohëve të fundit nga shërbesat e orës luterane, konfirmoi se, qysh nga viti 1993 numri i të krishterëve që deklaruan: “Besoj se çdo i krishterë ka përgjegjësinë të flasë për besimin e tij” dhe numri që deklaroi se do të fliste me të tjerët mbi bekimin e të qenët i krishterë, ka pësuar rënie të ndjeshme (për më tepër shiko “Bisedat shpirtërore në epokën digjitale”, Raporti i Barnës, 2018). Pra, nga njëra anë gjendemi në një moment nevoje të theksuar për të ungjillëzuar më tepër, për të folur për lajmin e mirë të Jezusit, e nga ana tjetër gatishmëria për këtë është më e vogël.

Përse nuk flasim publikisht për besimin tonë

Përse ndodh kjo? Ka shumë faktorë! Së pari, në ditët e sotme të flasësh për besimin e krishterë është më e ndërlikuar. Pjesa më e madhe e njerëzve e një gjenerate më parë, besonin në një Perëndi personal, besonin në jetën e përtejme, besonin në të vërtetat absolute, realitetin e mëkatit të tyre dhe kishin respekt themelor për Biblën. Zakonisht, të krishterët kishin një bazë nga të fillonin një bisedë ungjillëzuese: ekzistenca e këtyre koncepteve (apo ‘pikave kryesore’) ishte e pranuar dhe ungjillëzim do të thoshte lidhja e këtyre koncepteve për të nxjerrë në pah nevojën vetjake të këtyre bashkëbiseduesve jobesimtarë për Jezusin. Tashmë nuk mund të presim që ndonjë nga këto ide pikënisjeje të jenë pjesë e njohurisë së përgjithshme dhe, edhe sikur të ishin, duhet të jenë të pranuara nga masa e gjerë. Aktualisht, të flasësh për besimin sot nënkupton edhe prezantimin e koncepteve thelbësore, përpara se dhurata e shpëtimit të Jezusit të ketë ndonjë kuptim.

Së dyti, të flasësh për besimin e krishterë në ditët e sotme është më e vështirë. Në të kaluarën, zakonisht ata që nuk besonin, mund të deklaronin shprehje të tipit: feja është një gjë e mirë për shoqërinë, por ‘jo për mua’.  Ndërsa në ditët tona, krishtërimi dhe feja në përgjithësi nuk pranohen si një ndikim i mirë në shoqërinë apo jetët individuale. Që nga historia e kishës që mbështeste skllavërinë dhe luftërat fetare, deri te përfshirja aktuale e njerëzve fetarë në politikë e te skandalet e abuzimit, të metat dhe mëkatet e kishës së krishterë janë pjesë e skenës së kulturës sonë. Gjithashtu,  ekziston një zemërim i veçantë kundër pikëpamjes së krishterë tradicionale mbi rolin e gjinive. Të flasësh për besimin në ditët e sotme, do të thotë të jesh i sulmuar në mënyrë të vazhdueshme me pyetje shpesh armiqësore.

Së treti, të rinjve u është thënë shpesh: “Askush nuk ka të drejtë t’u thotë të tjerëve se çfarë duhet të besojnë, ndaj nuk duhet të përpiqesh të kthesh askënd në besim.” Kjo deklaratë, patjetër, e kundërshton vetveten, duke qenë se bën pikërisht atë gjë që ndalon. Sidoqoftë është një slogan me fuqi të jashtëzakonshme kulturore dhe është e vështirë për të krishterët më të rinj të mos ndikohen prej tij. Për më tepër, Sherry Turkle, në librin Të rivendosim bisedën (Reclaiming the Conversation), flet për studime që tregojnë se sa më shumë njerëz përdorin median sociale, aq më pak identifikohen ose vënë veten në pozitën e tjetrit dhe aq më të paaftë janë për të folur ballë për ballë me ata që nuk janë dakord me ta.

Me pak fjalë, sot ugjillëzimi kërkon më shumë durim, guxim dhe planifikim, nga sa i nevojitej gjeneratës paraardhëse. Megjithatë, asgjë nuk mund ta zëvendësojë atë. Jezusi u tha dishepujve: “Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarë në Jerusalem, dhe në gjithë Judenë dhe Samarinë dhe deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8). Te Veprat 8:4 na thuhet se pas përndjekjes në Jerusalem, të gjithë të krishterët u shpërndanë (përveç apostujve) dhe  ata “ndanë lajmin e mirë kudo që shkuan”. Natyrisht jo të gjithë të krishterët kanë dhuntinë apo janë të thirrur për të folur në publik. Pasazhi më lart kishte dhe ka kuptimin që çdo i krishterë foli me miqtë, të afërmit dhe kolegët për ungjillin.

Çfarë na nevojitet që të shpallim publikisht ungjillin

Së fundi, ajo çfarë na nevojitet më së shumti për të shpallur publikisht besimin nuk është një tjetër trajnim (edhe pse trajnimet rekomandohen fort), por e vërteta motivuese që vjen nga të kuptuarit e ungjillit, që ne vetë jemi mëkatarë, të shpëtuar nga hiri.

Ka së paku tri arsye kryesore për pafrytshmërinë në ungjillëzim. Është mungesa e ndjeshmërisë, që bie ndesh me përulësinë, kur dimë se jemi mëkatarë dhe nuk e meritojmë hirin e Tij. Mungesa e kurajos, që bie ndesh me guximin kur e dimë se Perëndia na do pa kushte.

E fundit është indiferenca. Ndërsa hedhim një shikim rreth nesh, shohim njerëz që mundohen të gjejnë kuptimin e jetës, të gjejnë përmbushje, shpresë e siguri. Arsyeja kryesore pse ne e mbajmë gojën kyçur është mungesa e dashurisë, por ungjilli jep dashuri (Galatasve 5:6). Tani mund të thoni: “E mirë, e kuptoj që duhet të jem njeri i përulur, i sigurt dhe i dashur, por nuk jam.” Vëreni, ju sapo konfirmuat thelbin. Problemi përfundimisht qëndron te zemra, jo te mungesa e trajnimit apo njohurive për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve.

Kujtoni gruan nga Samaria që u takua me Jezusin te pusi: “Dhe shumë samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas, që dëshmoi.” (Gjoni 4:39). Pse? Ajo nuk bëri asnjë trajnim, por Jezusi e ndryshoi atë me mëshirën e Tij, e tashmë ajo nuk duhej të shqetësohej se çfarë mendonin të tjerët për të. “Ejani”, – tha ajo “Ai më tregoi gjithë sa kam bërë dhe më deshi gjithsesi.” Ata erdhën dhe  i thanë gruas: “S’është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, sepse vetë e kemi dëgjuar dhe e dimë se Ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës” (Gjoni 4:42).

Zot, ndrysho zemrat tona që të kemi dashuri për miqtë tanë në pikëllim, për miqtë drejt humbjes, dashuri që do të ushqejë dëshminë e guximshme, por të përulur drejt hirit që gjendet vetëm në Jezusin.

Shënim i redaktorit: 

Shënim i redaktorit:

brezi X: të lindurit gjatë viteve 1960 deri në fillimin e viteve 1980

mijëvjeçarët ose brezi Y: të lindurit në fillim të viteve 1980 deri në fillim të viteve 1990

brezi Z: të lindurit në mesin e viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000

 

Përktheu: Erjon Ramaj; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet