×

Si mund ta kryejmë detyrën tonë të ungjillëzimit në universitete në mjedisin e sotëm, me gjithë sfidat dhe mundësitë e tij të veçanta? A ka ndonjë këshillë praktike që mund të japim?

Po, në fakt. Ja ku keni pesë parime për ungjillëzim në universitetet e sotme:

1. Sot, më shumë se kurrë, studentët do të fitohen në besim përmes bisedave dhe miqësive personale dhe afatgjata

Druajmë se lexuesit do ta mendojnë këtë pohim si gjë shumë të qartë, pa u ndalur për të shqyrtuar rrjedhojat praktike të tij. Në njëfarë kuptimi kjo gjë ka qenë gjithmonë e vërtetë. Megjithëkëtë, këtu po mbrojmë argumentin se ungjillëzimi personal, i ndërthurur në marrëdhënie është më i rëndësishëm se kurrë. Universitetet britanike i kanë shpëtuar me kohë shtimit të grupimeve të krishtera në kampuset universitare, të cilat janë normale në Shtetet e Bashkuara; që do të thotë se Unioni i Krishterë (UK), tani ka mundësi të jetë pikërisht i tillë: një union të krishterësh nga gjithfarësoj kishash, të cilët formojnë një komunitet të vërtetë misioni.

Për studentin e zakonshëm laik, takimi me të krishterë të vërtetë në korridoret e konvikteve, në grupet studimore apo ekipet sportive, mund të ndryshojë gjithçka. Shoqërimi me një mik të krishterë në një dialog të organizuar nga Unioni i Krishterë gjatë drekës—ku trajtohet me aftësi dhe ndjeshmëri një temë mjaft e nxehtë dhe pyetjet mund të bëhen gjatë një dreke të thjeshtë e të përbashkët—është bërë diçka tejet e përhapur. Është pikërisht cilësia e miqësisë dhe ngrohtësia e atmosferës, ajo që krijon një “hapësirë të sigurt” ku mund të diskutohet një temë e rrezikshme.

Studentët kanë më shumë gjasa t’i injorojnë fushatat masive të komunikimit, por mund të shkojnë nëpër ngjarje, nëse ftohen nga miq të krishterë. Më shumë se njëqind misione u kryen vjet nga UK në universitetet britanike, ku mbi 34.000 studentë pjesëmarrës në ngjarjen e misionit (siç mund të ishte dreka) u sollën dhe u ndoqën nga miqtë e tyre të krishterë. Mënyra më e mirë për të zbuluar pyetjet e tyre të vërteta, si dhe për t’i bërë t’i besojnë lajmëtarit me gatishmëri për ta hetuar krishterimin, do të jetë ndërtimi i një marrëdhënieje personale e domethënëse me ta.

Kjo nuk do të thotë se ngjarjet ungjillëzuese publike me një folës s’mund të jenë të frytshme, pasi është treguar qartë se ato kanë qenë të tilla, veçanërisht në kontekstin krijues të ngjarjeve javore të organizuara nga studentët e Unionit të Krishterë në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, gjithnjë e më tepër ato do të jenë të frytshme vetëm nëse jo të krishterët e pranishëm nuk janë të ftuar për herë të parë apo të dytë, por studentë pjesë të procesit të një miqësie ungjillëzuese tek e tek.

2. Sot, më shumë se kurrë, ungjilltarët e krishterë duhet të jenë po aq “nxënës të kulturës” sa kanë qenë misionarët tradicionalë

Sërish, rreziku është që kjo deklaratë duket si diçka tepër e qartë që nuk ka nevojë për shqyrtim. Prirjet kulturore dhe ndryshimet e brezave po ndodhin me një hap që nuk është hasur kurrë më parë. Të rinjtë në mes të njëzetave rrëfejnë se mezi i kuptojnë qëndrimet dhe besimet e maturantëve që janë vetëm shtatë vite më të vegjël. Prova më madhore është ndryshimi masiv dhe pothuaj brenda nate në qëndrimin publik kundrejt seksualitetit, gjë e cila e ka tronditur një numër të madh ungjillorësh. Gjithsesi, ky është thjesht shembulli më i dëgjuar e më i njohur.

Ndërsa ecim përpara, shumë nga kundërshtimet dhe pengesat kryesore që kanë studentët ndaj krishterimit do të ndryshojnë shumë shpejt. Kjo do të thotë se ungjilltarët e krishterë—edhe nëse janë të sapo diplomuar në universitetin ku po shërbejnë—duhet të marrin qëndrimin e ‘misionarëve’ për të mësuar gjuhën dhe kulturën, në mënyrë që të komunikojnë ungjillin. Sigurisht që si çdo misionar në kampuset që ka jetuar ndonjëherë, ungjilltarët e universiteteve duhet të përshtatet pa e kompromentuar mesazhin e ungjillit. Kjo është sfida për ungjilltarët e krishterë në universitetet perëndimore.

3. Dy mënyrat kryesore për t’ju treguar studentëve Jezusin, mbeten ende më të rëndësishmet në shërbesën me studentë

Është më e rëndësishme se kurrë që, në një kulturë e cila vlerëson më shumë imagjinatën se sa arsyetimin, studentët të zhyten në historitë e Jezusit në Ungjij, derisa të nisin ‘ta shohin’ Atë. Dy mënyrat për ta bërë këtë mbeten ato të (1) leximit të Biblës me ta, tek e tek ose në grupe dhe (2) shpjegimi në mënyrë të gjallë i teksteve biblike për ta.

Themi “në mënyrë të gjallë” pasi besojmë se studentët e tanishëm kërkojnë më së shumti shtjellues të Biblës që i sjellin të vërtetat e Shkrimit drejt e në zemrat e tyre, jo thjesht në intelektin e tyre. Edhe pse na duhet gjithmonë të formojmë variante të reja të këtyre dy qasjeve themelore, ato mbeten përherë mjeti themelor për ungjillëzim në kampuset universitare.Lightstock

Botimi në vitet e fundit i “Uncover” (një sërë studimesh ungjillëzuese biblike të përmbledhura në një variant ‘interesant’ xhepi të ungjillit të Lukës apo Gjonit) ka bërë që një numër i madh studentësh, të cilët merrnin pjesë nëpër ngjarje, tashmë po e lexonin një ungjill me një mik të krishterë dhe ishin gati të dëgjonin e t’i përgjigjeshin një shpalljeje publike. Përdorimi i metodës tek e tek ose me grupe të vogla studimesh ka krijuar gjithashtu një brez diplomantësh, të cilët e përdorin me besim Biblën në ungjillëzim, sepse e kanë parë Jezusin duke kaluar nga faqet e Shkrimit në jetët e miqve të tyre studentë.

4. Apologjetika është e rëndësishme, por ata duhet t’i tejkalojnë format e vjetra të bazuara në prova dhe të ndërthuren natyrshëm në çdo aspekt të shërbesës studentore

Apologjetika ka sot një rol të rëndësishëm për të luajtur. Ungjillëzimit i mirëfilltë është përgjigja ndaj pyetjes ‘çfarë’: Çfarë është ungjilli?. Apologjetika është përgjigja e pyetja ‘pse’: Pse duhet ta besoj këtë?. Vëreni librin klasik të John Stott, Bazat e krishterimit, i cili bazohet mbi fjalimet e tij misionare në universitetet britanike të fillim viteve ‘50. Ato janë fjalime mjeshtërore, por supozonin me të drejtë se auditori e kishte të paktën një besim bazik në ekzistencën e Perëndisë, mëkatit dhe të normave morale. Stott bën një punë mbresëlënëse në paraqitjen qartë të përgjigjes së pyetjes ‘çfarë’. Mirëpo, sot shumë për të mos thënë shumica e studentëve dëgjues do të pyesin: “Pse duhet t’i besoj asaj që thotë Bibla?” Kjo çon natyrshëm te apologjitika në lidhje me besueshmërinë e Ungjijve dhe mbase edhe te provat rreth ringjalljes (të cilave, për t’u treguar të ndershëm, Stott u kushton njëfarë vëmendjeje).

Gjithsesi, ato lloje më të vjetra apologjetike të ‘provave’, edhe pse të mira dhe të dobishme, janë të pamjaftueshme. Gjithçka që Stott thotë në fjalimet e tij, sot i kundërvihet jo thjesht një mendësie shkencore që kërkon prova empirike, por edhe rrëfimeve kulturore të rrënjosura thellë gjithashtu, siç janë mënyra si formohet identiteti dhe natyra e lirisë. Bazat e Krishterimit do të dukej thjesht pakuptim për një student, nëse nuk i zbulon dhe i sfidon ato rrëfime bashkëkohore, për të treguar më pas se si krishterimi jep një shpjegim më të saktë të mënyrës se si duhet kuptuar dhe jetuar jeta njerëzore.

Edhe kjo mund të quhet me të drejtë apologjetikë, pasi i largon pengesat ndaj besimit dhe hap udhën që studentët të marrin në konsideratë pohimet e Jezusit. Studentët kanë nevojë të shohin se si krahasohet krishterimi me laicizmin dhe fetë e tjera, në lidhje me burimet e tij për kuptimin e jetës, kënaqësinë, lirinë, identitetin, drejtësinë dhe shpresën—gjëra pa të cilat nuk mund të jetojë dot asnjë njeri. Këto lloj krahasimesh e kritikash të rrëfimeve mbizotëruese kulturore, të cilat lidhen me secilin nga konceptet e mësipërme, janë puna e një apologjeti.

Ata që punojnë me studentët duhet të jenë të gjithë mjaft të aftë në këtë punë. Nuk duhet të mbështeten vetëm tek apologjetët ekspertë që të vijnë, të flasin e ‘t’i rrafshojnë’ kundërshtimet ndaj krishterimit. Prezantimet e tilla apologjetike mund të ndihmojnë shumë nga studentët e sotëm, por shumica thjesht do të shtypin butonin ‘fik’. Bindja e këtij brezi do të ndodhë vetëm nëpërmjet marrëdhënieve.

5. Ngjarjet ungjillëzuese duhet të karakterizohen prej larmisë, cënueshmërisë dhe shpesh, edhe nga një veçanti e momentit.

Pavarësisht gjithë paralajmërimeve tona, ne besojmë se është e rëndësishme që të ketë ngjarje publike ungjillëzuese nëpër kampuse universiteti. Një nga arsyet është që studentët kanë nevojë për shembuj se si të përdorin bindjen e krishterë, gjë të cilën folësit e aftë mund ta sigurojnë. Po ashtu, siç e thamë më parë, misioni tradicional universitar me një folës ungjillëzues mund të jetë ende i efektshëm, nëse është bërë puna themelore fillestare në marrëdhënie. Megjithëkëtë, mos harroni se kjo punë themelore marrëdhëniesh është dhjetë herë më e rëndësishme sot për suksesin e misionit në universitete, nga sa ishte në brezin e kaluar.

Gjithsesi ka më shumë për të bërë se thjesht gjërat e marrëdhënieve dhe ato tradicionale. Këtu janë tre shembuj të tjerë ngjarjesh publike ungjillëzimi.

Në universitetin Columbia, unë (Timi) dhe një profesor i këtij universiteti—ateisti i respektuar Philip Kitcher—u ftuam të trajtojmë pyetjen: “A duhet të jesh njeri i mirë, për të pasur një jetë të mirë?”. Pasi dhamë secili ligjëratat hyrëse, një anëtar i fakultetit të universitetit (i cili nuk ishte besimtar ungjillor) drejtoi një diskutim midis nesh dhe më pas ngriti pyetje për ne nga auditori.

Një ngjarje ndryshe ishte një të cilan Michael e bënte çdo semestër me Shërbesën Universitare të Qytetit në Reformed University Fellowship (RUF). Titullohej “Munde atë tipin”. Studentët e krishterë ftonin miq skeptikë që të vinin dhe ‘të mundnin’ shërbestarin e universitetit (Michael). Ata duhet t’i bënin çfarëdolloj pyetjeje apo të ngrinin çdo lloj kundërshtimi ndaj krishterimit dhe atij i duhej të përgjigjej. Më pas, e gjithë salla votonte nëse besonin se atë e kishin mundur apo ishte përgjigjur mjaft mirë. (Mund të votoje “përgjigje e mirë”, edhe nëse nuk bije dakord me përgjigjen.) Ndonjëherë jepeshin çmime për studentin që salla mendonte se e kishte mundur Michael. Ai e vendoste veten në këtë pozitë të vështirë, të paktën njëherë çdo semestër. Kjo gjë ishte tërheqëse, edhe ngaqë ishte aq e çlirët, edhe ngaqë e bënte folësin e krishterë disi të pambrojtur. Kjo e bënte dialogun dhe diskutimin e gjërave frymërore shumë më pak kërcënues. Gjithsesi ishte në të njëjtën kohë një mënyrë që Michael të paraqiste pohimet e Krishtit në mënyrë të qartë para shumë studentëve mosbesues.

Një shembull i fundit i mirë lidhej me John Patitucci, i cili në atë kohë ishte profesor i muzikës në City College në New York City. John është besimtar dhe muzikant basi i famshëm për muzikën xhaz. Ne organizuam një mbrëmje të quajtur “Muzika Frymërore e John Coltrane.” Coltrane është saksofonisti i ndjerë legjendar i xhazit, i cili tha se pati një përvojë fetare të dashurisë së Perëndisë e cila e ndryshoi qasjen e tij ndaj muzikës. Ne e reklamuam këtë ngjarje përmes email-it në komunitetin muzikor të xhazit në New York, e veçanërisht në studentët e muzikës së atij universiteti. Atë mbrëmje, John Pattitucci dhe një grup xhazi luajtën në një koncert prej 45 minutash të muzikës së Coltrane. Pastaj Tim e intervistoi John për besimin dhe mënyrën se si përvoja e tij me hirin shpëtues të Perëndisë e kishte ndryshuar qëndrimin e tij ndaj muzikës dhe gjithçkaje tjetër në jetë. Tim pati kohë të paraqiste përmbledhje të shkurtra të ungjillit. Në fund, ne pritëm për pyetje nga auditori. Llogaritëm se atë natë ishin të pranishëm 300 ose 400 muzikantë xhazi jo të krishterë.

Çfarë kishin të përbashkët këto ngjarje? Një e përbashkët është ishte cënueshmëria Në secilin rast, komunikuesi i ungjillit nuk po qëndronte në podium dy metra më lart se audienca. Asnjëra nuk ishte një monolog i thjeshtë. Ka pasur mundësi që njerëzit “të kthenin fjalën”. Një cilësi tjetër ishte nota e humorit apo gëzimit. Edhe forumi i universitetit Columbia fatmirësisht nuk ishte i gjithi serioz dhe formal, pasi partneri im i dialogut ishte miqësor, i rehatuar dhe i gatshëm të qeshte. Së fundi, këto vende ishin kreative dhe origjinale. Studentët jo të krishterë i panë ato si intriguese dhe ndryshe nga prezantimet e krishtera më formale dhe me kryelarta me të cilat mund të jenë përballur në të kaluarën.

Sot nuk ka fushë më të madhe misioni se universiteti. Ungjillëzimi studentor nuk ka qenë kurrë më sfidues–apo më i nevojshëm.

 

Botuar me leje:

https://www.thegospelcoalition.org/article/5-principles-for-university-evangelism/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet