×

Sikurse shumë besimtarë të tjerë, gjithmonë jam përpjekur të kem një kohë përkushtimi dhe lutjeje çdo mëngjes. Dhe si shumica e besimtarëve të tjerë, unë e kam parë të vështirë të jem i qëndrueshëm.

Imagjinoni pak surprizën time kur arrita te një pjesë e librit Institutes të John Calvin në të cilën ai argumenton se kur bie fjala për lutjen e përditshme, një herë nuk mjafton.

Kalvini vë në pah nxitjen për “t’u lutur pa pushim” (1 e Thesalonikasve 5:17) dhe thotë se, sigurisht, çdo i krishterë duhet të përpiqet t’i lutet Perëndisë vazhdimisht përgjatë ditës, por ai shton: “Përderisa kemi një dobësi të tillë, e cila duhet të mbështetet nga shumë gjëra ndihmëse dhe plogështia jonë është e tillë saqë ka nevojë të shtyhet, është me vend që secili prej nesh të veçojë disa kohë të caktuara për këtë ushtrim”.

Kalvini mësoi që duhet të caktojmë kohë të veçanta, edhe pse mund të jenë të shkurtra, gjatë të cilave “të përfshihet tërësisht i gjithë përkushtimi i zemrës”. Ai propozon pesë kohë të ndryshme:

  • kur zgjohemi në mëngjes
  • para se të fillojmë punën
  • gjatë vaktit të drekës
  • pas vaktit (apo pas punës së ditës)
  • kur po bëhemi gati të shkojmë në shtrat në mbrëmje

Ai menjëherë shton: “Ky nuk duhet të jetë një respektim besëtytnor i orëve të caktuara; sikur “t’i paguanim borxhin tonë Perëndisë” dhe ta detyrojmë që të na dëgjojë.

Kompozoni lutje të përditshme

Edhe pse e dija këtë nxitje prej shumë vitesh, vetëm kohët e fundit kam mësuar se Kalvini, në fakt, përgatiti pesë lutje për këto kohë të ndryshme të ditës dhe i përfshiu ato në Katekizmin e Gjenevës (1542/45). Ato kishin për qëllim të shërbenin si shembuj për t’i përdorur individët dhe familjet. Kjo më inkurajoi t’i përdor lutjet e tij si themel për të renditur lutjet e mia.

I inkurajoj të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë që kam bërë edhe unë me Kalvinin: merrini këta shembuj dhe përdorini për të kompozuar lutjet tuaja. Të kem diçka të shkruar, të cilën mund ta lexoj dhe ta përdor si bazë për t’ju lutur Perëndisë, duke kaluar thjesht një minutë me secilën, ka qenë jashtëzakonisht e dobishme që të kujtoj praninë e Perëndisë dhe të vërtetat që kam mësuar atë mëngjes gjatë leximit të Biblës. Kjo gjë i jep ‘strukturë’ gjithë ditës me Perëndinë dhe ungjillin.

Më poshtë janë lutjet që përdor unë. Sërish, përdorini ato thjesht si bazë për të krijuar lutjet tuaja.

Kur zgjohem: Për dashurinë

At, faleminderit për hirin tend, i cili e ka ruajtur jetën time deri këtë mëngjes. Më jep mjaftueshëm dashuri për këtë ditë, një ndjesi dashurie për ty (në mënyrë që të mos frikësohem apo të jem i shtyrë), një burim dashurie për ty (në mënyrë që të mos jem krenar apo egoist) dhe një dashuri që rrjedh për të tjerët (që të mos jem i ftohtë dhe i shpërqendruar). Lëre Frymën Tënde të ma ndriçojë mendjen dhe të më zgjerojë zemrën për këtë gjë. Për shkak se nuk ka fare kuptim një fillim i mirë nëse dikush nuk këmbëngul, të kërkoj që ta vazhdosh dhe ta shtosh hirin tënd në mua, derisa të më kesh udhëhequr në përbashkësi të plotë me Birin tënd Jezu Krisht, Zotin tonë, në mënyrë që ta shoh lavdinë e Tij madhështore dhe të bukur. Ashtu sikurse rashë të fle dhe u zgjova këtë mëngjes prej hirit tënd, më mbaj në një kujtim të gëzueshëm dhe të gjallë që pavarësisht se çfarë ndodh, një ditë do të përjetoj ngritjen time finale, ringjalljen, për shkak se Jezu Krishti u shtri në vdekje për mua dhe u ringjall për drejtësimin tim. Në emrin e Jezusit.

Para ditës së punës: Për këmbëngulje

Zot, gjatë gjithë kësaj dite më jep një vetëdije për praninë tënde, frytshmëri por edhe durim me caktimet e tua, urtësi dhe dhembshuri në marrëdhëniet e mia dhe mbrojtje Atërore ndaj rreziqeve dhe armiqësive. Më bëj të pranoj çfarëdo shkalle suksesi apo vështirësie në punën time që do të më japësh këtë ditë dhe në mënyrë të veçantë më bëj të dhembshur dhe të gatshëm të ndërpritem për t’u bërë mirë të tjerëve. Në emrin e Jezusit.

Mesditë: Për prani dhe kujtim

O Zot Perëndi, faleminderit që më mbështet në jetën time fizike përmes ushqimit dhe strehës; që më ke dhënë jetë të re përmes ungjillit; siguri që gjërat e mia të mëkatare do të bashkëveprojnë për mirë dhe që gjërat e mia të mira nuk mund të më merren; si dhe për sigurinë e jetës më të mirë dhe të përsosur, e cila është duke ardhur. Më jep tani një ndjesi të gëzueshme të pranisë Tënde, më jep liri nga mëkatet e mia të veçanta të drejtësisë perfeksioniste përmes veprave, nga frika e kritikës dhe nga vetë-rehatia. Mos lejo që ndjenjat e mia të pleksen me dëshira të tepërta për gjërat e kësaj bote, por bëj që ta fokusoj zemrën time në gjërat lart, ku Krishti, jeta ime, është ulur në të djathtën Tënde. Në emrin e Jezusit. (Rikujto të vërtetat nga leximi i Biblës në mëngjes.)

Fundi i ditës së punës: Për njerëzit që kam takuar sot

Zot, dërgo bekimet e tua, të përkohshme dhe frymërore, në familjen, miqtë dhe fqinjët e mi. Bekoji ata që na kanë bërë mirë sot dhe fali ata që na kanë bërë apo kanë kërkuar të keqen tonë, dhe jepu atyre pendim dhe mendje më të mirë. Ji i mëshirshëm me ata që janë në ndonjë telash apo vuajtje dhe shërbeju sipas nevojave të tyre. Bëje këtë për hir të Atij i cili bëri mirë, për hir të Njeriut të dhimbjeve, Birit tënd dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krisht. Në emrin e Tij.

Para gjumit: Për prehje

O Zot, na mbro nga të gjitha rreziqet si dhe nga frika e tyre gjatë natës. Na jep hir, jo vetëm për çlodhjen e trupave tanë, por na jep edhe prehje frymërore, në shpirt dhe në ndërgjegje, në hirin dhe dashurinë tënde, në mënyrë që të ngushëllohemi dhe lehtësohemi në gjithçka. Përderisa nuk kalon asnjë ditë në të cilën të mos kem mëkatuar në shumë mënyra, të lutem mbuloji të gjitha shkeljet e mia në mëshirën tënde, në mënyrë që të mos e humbas praninë Tënde. Më fal për hir të Jezusit! Na jep hir që gjithmonë të jetojmë në një gjendje të tillë që të mos kemi kurrë frikë të vdesim; në mënyrë që në jetë apo në vdekje, të mund të jemi të tutë, përmes meritave dhe arritjes së Birit tënd Jezu Krisht, në emrin e të cilit i ofrojmë këto lutje të papërsosura. Amen.

Shënim i redaktorit: 

Një version i këtij artikulli u botua në Redeemer Report.

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet